Petrovska takoi kongresmenët amerikanë: Bashkëpunimi RMV- SHBA në mbrojtje është në nivelin më të lartë
Delegacioni i kongresmenëve amerikanë të kryesuar nga Vern Buchanan sot realizoi takim me ministren Sllavjanka Petrovska në Ministrinë e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, ku u diskutuan marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, lufta në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut është aleat i përkushtuar që beson fort në bashkimin dhe vlerat që na lidhin. Bashkëpunimi me SHBA-në, partnerin tonë strategjik me të cilin kemi zhvilluar dialog strategjik, është në nivelin më të lartë. Mbështetja e SHBA-së vitin e kaluar arriti afër 50% të buxhetit kombëtar të mbrojtjes, që është tjetër konfirmim i mbështetjes afatgjatë dhe vendimtare të partnerit strategjik për stabilitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Partneriteti strategjik dhe miqësia me SHBA-në dhe investimi ynë në pajisjen e ushtrisë bën të mundur realizimin e projekteve dhe përmbushjen e objektivave të kapaciteteve të NATO-s”, tha ministrja Sllavjanka Petrovska.
Kongresmeni Buchanan, në emër të të gjithë delegacionit, përshëndeti mbështetjen e vazhdueshme nga Maqedonia e Veriut për mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit rus dhe shprehu mbështetjen për partneritetin dhe aleancën e fortë midis dy vendeve.