Petrovska: Morëm 139 milionë dollarë nga SHBA për modernizim, më shumë se që kemi dhuruar për Ukrainën

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, mbrëmë në emisionin “360 Gradë” në televizionin Alsat, foli për dhurimin e mundshëm të helikopterëve për Ukrainën, si dhe për atë se çfarë merr Maqedonia e Veriut në këmbim pas vendimeve për dhurimin e pajisjeve dhe armatim këtij vendi që e mbron sovranitetin e tij, transmeton Portalb.mk.

Petrovska sqaroi se ka përfunduar analiza e Shtabit të Përgjithshëm nëse vendi mund t’i dhurojë helikopterët Mi-24 dhe se në seancën e ardhshme të qeverisë do të paraqesë propozimin për marrjen e vendimit me të cilin Maqedonia e Veriut do t’i dhurojë Ukrainës 12 helikopterë.

Lidhur me helikopterët e prodhuar në vitin 1984, ajo tregoi se një pjesë e madhe e tyre që nga viti 2015 janë resurs i skaduar, nuk përdoren dhe sipas Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes nuk janë parashikuar në formimin e Ushtrisë. Ajo ka sqaruar se si me vendimet e tjera, edhe ky nuk do të ndikojë në gatishmërinë luftarake të Ushtrisë.

“Të gjitha pajisjet që janë dhuruar deri më tani, përveç që janë me kërkesë të ukrainasve, u duhen dhe janë pajisje që ushtria ukrainase është e aftë t’i përdorë, janë pajisje që sipas planeve tona për modernizim janë tashmë në përfundim të përdorimit të tij, nuk ka për të qenë pjesë përbërëse e armatimit tonë dhe është shumë e sigurt që në një kohë të shkurtër do të na duhej të karikoheshin për t’i shkatërruar”, tha ministrja.

Sa i përket implikimeve financiare, Petrovska theksoi se vlera e donacioneve pa dhurimin e mundshëm të helikopterëve është rreth 30 milionë euro, por se për vetëm më pak se një vit Maqedonia e Veriut është mbështetur nga SHBA-ja me 139 milionë dollarë të destinuar për blerjen pajisjejeve të reja, më të sofistikuar.

“Çfarë merr Maqedonia e Veriut në këmbim është një pyetje që është gjithashtu legjitime të shtrohet. Në vetëm më pak se një vit, Shtetet e Bashkuara miratuan përdorimin e burimeve financiare në vlerën 139 milionë dollarë, që është disa herë më shumë se sa kemi dhuruar. Ata janë për mbështetjen e Planit për modernizimin e ushtrisë sonë, pra gjithçka që është planifikuar të prokurohet këtë vit dhe vitet në vijim”, tha Petrovska.

Lidhur me planet për blerjen e helikopterëve të rinj, ministrja informoi se në fazën përfundimtare është vlerësimi i detajuar i pesë ofertave të pranuara për blerjen e helikopterëve me shumë qëllime dhe analiza nëse ato janë në përputhje me kërkesat dhe nevojat tona. Ajo sqaroi se bëhet fjalë për prokurim shumëvjeçar të tetë helikopterëve shumëfunksionalë.