Sekretari i Komunës së Sarajit, Sefi Shabani nga BDI është drejtori i ri i “Parqe dhe Gjelbërim”

Sekretari aktual i Komunës së Sarajit, Sefi Shabani nga BDI është ushtrues detyrre drejtor i ri i ndërmarrjes publike të Shkupit “Parqe dhe Gjelbërim”. Pasi drejtori Zuhejr Rexhepi, i cili njëjtë është kuadro i BDI-së, dha dorëheqje të dielën, kryetarja Danela Arsovska e emëroi Shabanin në këtë pozitë, transmeton Portalb.mk nga SDK.mk.

Informatat për SDK.mk janë konfirmuar nga punonjës të ndërmarrjes si dhe anëtarë të BDI-së. Nga kabineti i Arsovskës nuk u përgjigjën për dy ditë në pyetjet se se kush është drejtori i ri i kësaj ndërmarrje publike.

Shabani është drejtori i tretë i “Parqeve dhe Gjelbërimit” në mandatin prej një vit e gjysmë të Arsovskës. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021, në të cilat fitoi Arsovska, në këtë pozitë u emërua Angele Sotirovski nga Partia Socialiste, e cila është pjesë e koalicionit të VMRO-DPMNE-së. Pas sherrit të Arsovskës me VMRO-DPMNE-në, Sotirovski si drejtorët e tjerë dha dorëheqje.

Vitin e kaluar në shtator në vend të tij u emërua Rexhepi, i cili një muaj më parë mori kontratë menaxheriale 4-vjeçare nga Arsovska. Rexhepi tha se dorëheqjen e ka dhënë për arsye shëndetësore.

Ndryshe, kryetarja Danela Arsovska ka ndërruar 15 drejtorë të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike për një vit e gjysmë të mandatit të saj. Arsovska ka shkarkuar 7 drejtorë të cilët i ka emëruar në pozitë, ndërsa 8 kanë dhënë vetë dorëheqje. Dy drejtorë i transferoi nga një kompani publike në tjetrën.