Pesë tonë marihuanë nga Maqedonia drejt Serbisë: hetim për kanabis “mjekësor”

Pesë tonë marihuanë është shifra që hapi mundësinë më të pakëndshme për sistemin vendas: se zinxhirët kriminalë jo vetëm që kalojnë përmes rajonit, por mund të mbështeten edhe në kode ligjore, leje dhe kompani që në letër duken “të pastra”. Në rastin që po e hetojnë organet serbe, Prokuroria për Krim të Organizuar njoftoi se të dyshuarit kanë siguruar 5.002.079,18 gramë marihuanë në territorin e Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga fillimi i janarit 2026 deri më 29 janar 2026, shkruan Racin, transmeton Portalb.mk.

Sipas njoftimit, droga më pas është transferuar përtej kufirit dhe është dërguar në një magazinë të familjes Spasojeviq, prej nga ka vazhduar për shitje të mëtejshme. Si organizator është përmendur Aleksandar Mijajloviq, i cili, sipas prokurorisë, ndodhet në arrati dhe për të cilin është kërkuar fletarrest, përfshirë edhe atë ndërkombëtar.

Detaji më i ndjeshëm është lidhja indikative mes kanalit “mjekësor” dhe atij “kriminal”: në informacionet që qarkullojnë në mediat serbe, kuptohet se njëri nga të dyshuarit është bashkëpronar i kompanisë ALFAFARM në Shkup, e regjistruar për prodhim dhe përpunim të kanabisit mjekësor. Kjo, në vetvete, nuk është provë për fajësi të një sektori të tërë, por është një pikë alarmi mjaft e fortë për të hapur pyetjen: sa i mbyllur është zinxhiri i kontrollit – nga fara dhe lënda e parë, te magazinimi, transporti dhe dalja nga vendi.

Operacioni, nga ana tjetër, në Serbi është paraqitur si një sekuestrim rekord. Ivica Daçiç konfirmoi se në rrethinën e Krushevcit janë sekuestruar rreth pesë tonë marihuanë, me vlerësim se vlera në tregun e paligjshëm është mes 7 dhe 10 milionë euro, ndërsa gjatë aksionit janë gjetur edhe pjesë të armëve automatike.

Për institucionet vendase, ky është një test që nuk duron reagime të natyrës PR. Nëse marihuana vërtet është siguruar në Maqedoninë e Veriut në periudhën e përmendur, atëherë pyetja është e thjeshtë: kush ka parë, kush ka nënshkruar, kush ka kontrolluar – dhe ku sistemi ka lejuar që “ligjorja” të shërbejë si mbulesë për një eksport paralel kriminal. Përgjigjja nuk është vetëm policore; ajo është rregullatore, financiare dhe institucionale – dhe duhet të jetë e verifikueshme publikisht.