Pesë banesat e Gruevskit vlerësohen me 1.9 milion euro

Pas miratimit nga ana e Qeverisë, banesat e konfiskuara të ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski, do të dalin në shitje. Vlera e dy banesave në “Rrugën e Bihaqit” në Shkup dhe tre apartamentet në “Panorama Rezidens”, vlerësohen në 1.9 milion euro, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Driton Nebiu, Drejtori i Agjencisë për pronë të konfiskuar, transmeton Klan M.

“Sipas dokumentacionit që posedoj nga Byroja për ekspertizë ligjore, e gjithë prona ende nuk është kompletuar me vlerësimin, kemi edhe dy prona të patundshme. Për gjithë të tjerat vlerësimi është bërë, për të gjitha banesat dhe vlera është diku rreth 2 milion euro. Vlerësimi është bërë nga Byroja për ekspertizë ligjore dhe nëse dalin në shitje, nëse ankandi përfundon me sukses, kjo shumë mund të kthehet shpejt në buxhetin e shtetit”, tha Driton Nebiu.

Sipas Nebiut, nuk është shitur as një e treta nga prona e konfiskuar të ish-Shefit të DSK-së, Sasho Mijalkov. Ai, paralajmëroi se së shpejti në ankand do të vihen mbi 20 prona të Mijalkovit.

“Është e habitshme përse mbeti pa u shitur një pjesë e pronës së Mijalkovit. Pasi erdha në këtë pozitë ndërmorëm hapa serioz që t`i shqyrtojmë gjithë lëndët dhe mundësitë që të kemi mundësi t`i vëmë në ankand publik pronat nga lëndët për të cilët ekzistojnë aktvendime të plotfuqishme nga Gjykata”, tha Driton Nebiu.

Sipas Nebiu, vlerësimet për veshmbathjet e të dënuarit Bojan Jovanovski – Boki 13, shkojnë në 650 mijë euro.

“Ai ka lloje të ndryshme të tekstilit, syze, çanta, këpucë të brenduara, brende të shtrenjta dhe mendoj se shuma ka qenë deri në 650.000 euro përafërsisht. Tani do t`I vëmë në rend dite në Këshillin Drejtues, do t`i dorëzojmë në Qeveri dhe do të presim pëlqimin e qeverisë”, tha Driton Nebiu.

Ndryshe, kohë më parë, në llogarinë e Agjencisë për menaxhimin me pronën e konfiskuar hynë 244.000 euro nga shitja e dy banesave dhe një toke të Sasho Mijalkovit.

Në rastin “Perandoria”, Mijallkovi pranoi fajin dhe arriti marrëveshje me Prokurorinë, kurse dënimi ishte tri vite burg dhe konfiskim të pronës, në mesin e të cilëve 25 banesa dhe parcela afër hotelit “Meriot”.

Bëhet fjalë për pronën që i është konfiskuar Gruevskit me aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup për rastin “Parcelat në Vodno”, të cilën e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit Shkup.

Krahas konfiskimit të pasurisë kriminale, ish-kryeministri u dënua edhe me shtatë vite burg, të cilat Apeli ia shtoi edhe dy vite të tjera.

Gruevski u dënua për dy vepra penale në rastin “Parcelat në Vodno”: shpëlarje parash dhe përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ndaj të cilit janë në pritje disa çështje gjyqësore, në vitin 2018, pas shpalljes së dënimit me burg për rastin “Tanku”, për blerjen e “Mercedesit” luksoz, u arratis në Hungari ku mori azil. Autoritetet maqedonase kanë lëshuar një fletarrest ndërkombëtar për të.

Përveç Gruevskit, në rastin “Parcelat në Vodno” fajtor është shpallur edhe kushëriri i tij, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov. Ai mori dënim me burg prej një viti e tre muaj nga Gjykata Penale, i cili më pas u ndryshua në një dënim me kusht nga Apeli.

Me një vit burg në “Parcelat në Vodno” është dënuar edhe biznesmeni Jordan (Orce) Kamçev, ndërsa me kusht nëna e tij Ratka Kunovska-Kamçeva, si dhe Risto Novaçevski dhe Nenad Josifoviq.

Ndryshe, ish-kryeministri Nikolla Gruevski përmes avokatit të tij Dimitar Dangov në mesin e korrikut të këtij viti ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Supreme për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Parcelat në Vodno”.

Gjykata e Lartë ende nuk ka vendosur për këtë kërkesë.

Në gusht të këtij viti, Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara ka publikuar një njoftim ku një pjesë e pasurisë së konfiskuar e ish-drejtorit të Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijalkov për rastin “Perandoria” ishte paraqitur për shitje dhe ankandi ishte caktuar për 25 gusht.

Në fillim të shtatorit u njoftua se Agjencia ka arritur t’i shesë gjithsej tri prona të konfiskuara Mijalkovit.

Sipas akuzës së rastit në fjalë, Gruevski nga viti 2006 deri në vitin 2012, si kryetar i VMRO-DPMNE-së, donacionet partiake që i ka marrë, personalisht ose nëpërmjet komiteteve komunale, i ka mbajtur për vete, kështu që ka mbledhur 1.3 milion euro.

Nga tetori i vitit 2012-të deri në shtator të vitit 2013, paratë i ka harxhuar duke blerë tokë ndërtimore në Vodno, më saktësisht në pjesën mbi Panorama, gjegjësisht në vendin e quajtur Sherbetnica. Gjithashtu në akuzë thuhet se Gruevski ka pasur edhe dy banesa të fshehta në ndërtesën në Bihaçka, në banesën ku ka jetuar përpara se të arratiset.