Përshpirtje për poetin Xhevdet Bajraj

Tërë ikjet janë të trishta, por sidomos ato ku duket sheshit se tjetrit i mungon diçka, siç duket Vjollca Bajraj pa poetin Xhevdet Bajraj. “Më duket sikur ka shkuar në Kosovë dhe se së shpejti do të kthehet…’’ – flet trishtueshëm për ikjen e tij.

Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj
Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj

Si me shaka një herë i thash: ” gratë i frymëzojnë burrat për punë të mëdha por i pengojnë t’i realizojnë ato, ti je një përjashtim i rrallë.”  Muza e Poetit, mbështetja e tij më e madhe, atij poetit që shkoi të prehet në rafte librash. Meksika e kujtoi tri ditë rresht, me një homazh aq të denjë e përshpirtje që flet për boshllëkun që ka lënë në botën hispanike. “Të gjitha ëndrrat i shihte në Rahovec ” thotë Vjollca tek sa më rrëfeu se po kthehen te ai truall me djemtë nga që do t’i botohet dhe një libër me poezitë në dorëshkrim dhe do të promovohej si përkujtesë në Rahovecin e tij për të cilin përmallej shpesh. I ikur nga lufta në Kosovë në fillim si një refugjat, jo vetëm që arriti të përshtatej me jetën meksikane, por  zuri një vend goxha të rëndësishëm sa programi i pasur treditor, angazhimi i gjithë asaj orkestre e gjithë atyre njerëzve dëshmon për këtë. Me që sa qe gjallë, mbi tetëmbëdhjetë vite sa qëndroi atje punoi ne universitet duke dhënë leksione mbi poezinë.

Studentën e tij kanë mbajtur dhe e mbajnë akoma një faqe ku postojnë thënie, copëza nga leksionet që kanë mbajtur me Xhevdetin. (Faqja në origjinal quhet:: “Xhevdo es un loquillo” ) . Para disa vitesh kur unë kërkova të vë kontakt me ta që t’ia lexoja letrën kur të vinte në Tetovë në një mbrëmje me lexuesit e tij e cila u mendua nga profesori Fatmir Sulejmani me ç ‘rast edhe u njohëm, ishte dikush pas asaj faqeje që ma nisi këtë letër që na e jep më së miri portretin e Poetit dhe ndikimin që kishte te studentët e tij meksikanë:

“E shkruaj këtë, nga Meksika për një audiencë të largët, të largët, në emër të të gjithë studentëve që ka mësuar poeti ynë i preferuar shqiptar:

Xhevdeti erdhi në vendin tonë për të lexuar Octavio Pazin, për të parë Hugo Sánchezin duke luajtur futboll, për të dëgjuar ‘La Cucaracha’ duke ngrënë “çilli “dhe avokado me tortilla, për të pirë tekila dhe për të thënë “Salud”. Por mbi të gjitha, pasi njohu mirë shijen e pasur të spanjishtes, filloi prej nesh të bëj poetë.

Nga Xhevi e di që poezia ndjehet dhe ushtrohet ashtu si një futbollist ushtron futbollin: çdo ditë dhe në çdo kohë. E di prej tij që ka poezi të mira dhe të këqija, por të dytat janë më të mira kur korrigjohen nga publiku që të dëgjon dhe që kërkon të ushqehet me fjalë.

Xhevi nuk të detyron të jesh poet, por më tepër të pranosh që brenda teje është një poet që herë pas here dëshiron të shfaqet; Jo më kot këtu në Amerikën Latine thonë:  “Të gjithë kemi nga pak prej muzikantit, poetit dhe të çmendurit”, një shprehje që Xhevi e merr shumë seriozisht, siç na tha dikur: “Nëse doni të jeni poetë, ja ku jam,  nëse nuk dëshironi të jeni poetë, sërish ja ku jam.

Dua të ndaj një frazë të tij që nuk është vetëm për poetët apo adhuruesit e poezisë, por për këdo: “Qeniet njerëzore janë një makinë e çuditshme: ju i jepni çokollata, kafe, “çips”… Dhe çfarë prodhon? Buzëqeshje, lumturi, poezi.”

( shkëputje nga letra e shkruar në spanjisht)

Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj
Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj

Edhe pse Xhevdeti fare nuk i kishte qejf intervistat dhe refuzonte pafund sosh, mua nuk më refuzoi asnjëherë, pasi sipas tij i bëkam përshtypje që jam poete, dhe kur insistoja se ” nuk jam poete por thjesht lexoj shumë poezi …”, më thoshte:  ” poezinë e lexojnë vetëm poetët dhe Zoti nëse ekziston” . Secili lexues i poezisë së tij ka marrë një dedikim ” poetit tim të preferuar…” me emrin ngjitas , sikur të ftonte të nisësh një kërkim të brendshëm, çka nëse vërtetë jam një far poeti dhe nuk e di.

Intervista jonë e fundit qe e trishtë . E pata pyetur:

Kur do të kthehesh sërish në Kosovë?

Xhevdet Bajraj: “Uroj të kthehem disa vjet para se të vdes. Ndoshta edhe nuk mund të vdes pa u kthyer atje, e pa e shkruar edhe një libër atje, të denjë ta marrë me vete në varr. Edhe pse Kavafisi, disa minuta para se të vdiste, u pati thënë mjekëve të tij: E dini, poetët nuk vdesin kurrë, ose pothuajse kurrë!”

Njëri nga librat e tij me poezi quhet ” Copa ime e qiellit” dhe domosdo do të kërkoja të lokalizonim këtë pjesë .

Ku është copa jote e qiellit?

Xhevdet Bajraj: “Oh, copa ime e qiellit gjendet mbi Rahovec, pastaj nga aty shtrihet mbi gjitha trevat shqiptare. Për momentin është e mbushur përplot me sorra të majme, që krrokatin zhurmshëm, shurdhërueshëm. Ajo krrokatë dëgjohet edhe në Meksikë e arrin edhe në kryeqytetin e Kilit ku jeton nipi im, ama veç mua nuk më lejon të fle, ma dridh shpirtin, m’i bren eshtrat, ma rrëqeth mishin e trupit, më vret, ashtu siç i vrau apo i vret njerëzit e mi në Kosovë, që i ngjan aq shumë një anijeje të mbytur, udhëtarët e së cilës e kapin njëri-tjetrin për dore a këmbe dhe duke u përpjekur të shpëtojnë vetë, mbyten së bashku. Nejse, ende janë gjallë udhëtarët e anijes, bile shumica e tyre  dhe janë duke luftuar për mbijetesë, një fije të Kashtës së Kumtrit e shohin, është larg, por shihet , zakonisht kur bie nata.”

Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj
Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj

Nuk pati edhe një takim ne Tetovë, nuk erdhi të na vizitoj me Vjollcën siç pati premtuar, fatkeqësisht intervista ime e fundit me të ishte me e zymta ku e kishte përmendur edhe vdekjen mes tjerash. Sa herë ndalem në bashkëbisedat me profesorin, çdo dialog më duket leksion mbi poezinë, mbi letërsinë që e deshi aq fort dhe që dhanë e morën aq shumë. Veçoj:

Xhevdet Bajraj: U iki intervistave. Përtoj ta braktis Rahovecin dhe pse e ndjej veten si në moçal.

Me shkrim më duket se bëj art, ndërsa kur flas, më duket sikur jam i çmendur. Më komod e ndjej veten buzë artit se buzë çmendurisë. Nganjëherë s’di pse më duken e njëjta gjë.

Xh. Rizvani:  Ju poetët jeni pak të çuditshëm…

Xh. Bajraj: Pak jo, por shumë të çuditshëm, shyqyr që jemi aq pak …

Xh. Rizvani: Prej nga buron “çudia” te poetët?

Xh. Bajraj: Nga ndjenjat.

Xh. Rizvani: Cila? Ne “të tjerët” s’jemi krejt pa ndjenja.

Xh. Bajraj: Perceptimi, guximi për ta parë botën në mënyrë të veçantë, si dikur në fëmijërinë e njerëzimit.

Xh. Rizvani: Mos keni ndonjë ndjenjë tepër ju poetet. Si duken gjërat prej atij këndi?

Xh. Bajraj: Mbase dhe e kemi. Na dhemb jeta edhe kur nuk duhet.

Xh. Rizvani: Kanë filluar shumë ta shkruajnë poezinë. Aq sa më duket se secili do që të vdesë si poet.

Xh. Bajraj: Ka shumë pak poetë. Do që kanë vdekur mbahen mend për 4-5, apo 2-3 poezi, do për një libër,  për fat të keq. Jo bre, tingëllon keq, por po e them ndryshe. Te jeta janë do roje të dritës, por dritën e kanë pas shpine, kurrë nuk e shohin. Apo, një lloj i poetëve do të ishte ky që gjithmonë e shohin errësirën, madje e kafshojnë errësirën dhe për ndryshim nga bletët, prodhojnë dritë.  E ka pas thënë këtë dikush moti…

Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj
Foto nga arkivi personal i poetit Xhevdet Bajraj

Po e mbyllim me një poezi nga libri i botuar post- mortum:

MË PRIT TË LUTEM/ Që njëzet e tre vjet/ përpiqem të vrapoj

/ sa me shpejt që mundem/ drejt së ardhmes/ me një këmbë në varr në Kosovë/ me tjetrën këmbë/ në një varr në Meksikë/ Vetëm edhe pak kohë më duhet/ të mbërrij tek ti/ më prit të lutem/ sa t’i shkurtoj këmbët me sharrë/ “Angelus Novus”, Klubi De Rada, fq. 25