Përparim Bajrami u vetëdorëzua në Bllacë pas dy viteve në arrati, direkt në pranga
Ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar, mëngjesin e sotëm është paraqitur në pikën kufitare Bllacë, pas së cilës është arrestuar dhe është dërguar në Burgun e Shutkës. Bajrami është dorëzuar vetë, pasi ishte në arrati që nga viti 2024, shkruan Portalb.mk.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se Bajrami sot në orën 5:35, vullnetarisht dhe në këmbë, është paraqitur te organet kompetente. Ai është privuar nga liria dhe do të dërgohet për procedurë të mëtejshme para organeve kompetente.
“Sot (09.09.2026), në orën 05:35, në PK Bllacë e Poshtme për hyrje në RMV është paraqitur Përparim Bajrami (33), i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar sipas urdhrit të PTHP Shkup nr. XVII KO nr. 4232/24 të datës 17.12.2024. Personi është privuar nga liria dhe është shoqëruar në Institucionin Ndëshkimor-Përmirësues Burgu Shkup”, njoftoi MPB.
Lidhur me këtë rast, me njoftim doli edhe Prokuroria Publike.
“Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore Publike Shkup kundër të pandehurit, ndaj tij zhvillohet procedurë gjyqësore. Për të, me propozim të prokurorit publik, tashmë është caktuar masa e paraburgimit, e cila është aktive. Procedura gjyqësore, në të cilën ai akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“ nga neni 353 i Kodit Penal, është në zhvillim e sipër. Për më tepër, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup janë duke u zhvilluar edhe katër procedura të tjera kundër tij për të njëjtën vepër penale, në kuadër të të cilave po mblidhen prova dhe po kryhen ekspertiza”, tha Prokuroria.
Bajrami është i akuzuar në procesin penal lidhur me keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore, së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, i cili gjithashtu ishte në arrati dhe po ashtu iu dorëzua vetë policisë.
MPB-ja ndaj Bajramit dhe Grubit në dhjetor të vitit 2024 shpalli fletarrestim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale u caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, por ata nuk ishin të qasshëm për organet e ndjekjes. Grubi u dorëzua në shkurt të këtij viti në pikën kufitare Bllacë, në kufirin Maqedoni e Veriut–Kosovë, dhe u mbajt në paraburgim, i cili më vonë u zëvendësua me arrest shtëpiak.
Muajin e kaluar, Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti aktakuzë ndaj tetë personave për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, mes tyre edhe Grubit, Bajramit dhe ish seksretarit të Qeverisë Metodija Dimovski. Prokuroria i akuzon tetë personat si bashkëkryerës të veprës penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2023 dhe 2024, ata ndërmorën së bashku veprime me të cilat tejkaluan autorizimet dhe detyrat e tyre, me qëllim që t’i shkaktonin dëm Lotarisë Shtetërore. Dëmi vlerësohet në rreth 9.7 milionë euro.