Përhapje e tartabiqëve në Francë, po ndërmerren masa në nivel shtetëror

Javëve të fundit nëpër Francë janë rritur ndjeshëm rastet e pickimeve nga tartabiqët, insektë të vegjël që ushqehen me gjak. Deputetja Mathilde Panot dhe nënkryetari i bashkisë së Francës kanë kërkuar publikisht që qeveria të ndërmarrë masa serioze, shkruan The New York Times, transmeton Portalb.mk.

Deputetja Mathilde Panot, në dhomën e ulët të Parlamentit të Francës, tregoi një shishkë të vogël me një tartabiq, duke thënë se këto gjallesa po “përhapnin dëshpërim” në shtet. Ajo akuzoi kryeministren Elisabeth Borne për neglizhencë.

“A duhet të presim të infektohet edhe zyra juaj që të reagoni?”, tha Panot.

Kryeministrja kërkoi që Panot të ketë “pak sjellje” dhe siguroi që qeveria do të merrte masa.

Tartabiqët tani janë në faqet e para të gazetave pas një numri të madh postimesh nëpër rrjete sociale me foto dhe video të këtyre insekteve në tren, kinema dhe metro. Ato kanë përhapur ankth nëpër gjithë vendin, veçanërisht në kryeqytetin e Francës, dhe po diskutohen edhe në televizione.

Tartabiqët janë insekte që fshihen në vende të errëta dhe të ngushta. Në shtëpi, mund të gjenden në hapësirat ndërmjet dyshekut dhe kornizës së shtratit dhe zakonisht pickojnë natën. Ushqehen me gjakun e njerëzve ose të kafshëve.

Në Paris, javëve të fundit ka patur raportime të pickimeve nëpër kinema, si dhe video të tartabiqëve në trena dhe metro.

Clement Baune, ministri i transportit, tha se autoritetet po i pastrojnë rregullisht mjetet e transportit publik dhe ato që janë të infektuara janë nxjerrë jashtë përdorimit deri sa të dezinfektohet.

“Nuk duhet të përfundojmë me psikozë ose ankth”, shtoi ai.

Megjithatë, disa shkolla janë mbyllur, poashtu një spital në Francë po u nënshtrohet masave të rrepta të dezinfektimit.

Johanna Fite, një eksperte në agjencinë e shëndetësisë shtetërore, tha se numri i tartabiqëve është rritur për shkak të nivelit të lartë të turizmit (këta insekte fshihen shpesh edhe nëpër qoshet e brendshme të kuferëve). Ajo tha se tartabiqët nuk janë shenjë e higjienës së keqe dhe ndonëse pengojnë gjumin dhe shkaktojnë ankth, ajo që është e rëndësishme është se nuk bartin sëmundje.

Emmanuel Gregoire, nënkryetari i bashkisë së Parisit, i shkroi në një letër kryeministres Borne muajin e kaluar se kishte një “rritje të madhe” të infektimeve në hotele, shtëpive të pushimit me qira, transporte publike, kinema dhe hapësira të tjera publike dhe se kryeqyteti i Francës ishte “në vijat frontale të kësaj fatkeqësie të vazhdueshme, në rritje të shpejtë.”

Ai i kërkoi qeverisë të hartojë një plan për të vepruar përpara Lojërave Olimpike, me masa si subvencionimi i faturave të kontrollit të dëmtuesve të familjeve të infektuara. Mesatarisht, francezët shpenzojnë rreth 900 euro, ose rreth 950 dollarë, për të hequr qafe tartabiqët, sipas agjencisë qeveritare të shëndetit. Kjo është një shumë e konsiderueshme për familjet më të varfra.