Përgjegjësinë për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale e ndajnë institucionet, qytetarët dhe bizneset

Të dhënat personale të qytetarëve dhe shkelja e privatësisë së tyre për dikë mund të nënkuptojnë fitime të pandershme që maten në miliona, ndërsa në raste të tjera keqpërdorimi i tyre mund t’i shkaktojë shumë probleme personit në fjalë. Prandaj është e rëndësishme, që përveç palëve të tjera përgjegjëse, edhe institucionet ta kuptojnë rëndësinë e tyre dhe të zbatojnë masat e duhura për mbrojtjen e tyre dhe në asnjë mënyrë të mos lejojnë që kjo gjë të mbetet vetëm në letër. Por, po aq e rëndësishme është edhe që qytetarët të edukohen, por edhe të marrin këshillat e duhura nga autoritetet, sepse sot, në epokën digjitale, privatësia mund të shkilet shumë lehtë, raporton Portalb.mk.

Këto ishin disa nga mesazhet që u përcollën në konferencën e sotme në Shkup “Mbrojtja e privatësisë në epokën digjitale: Në kërkim të zgjidhjeve të përbashkëta”, e cila ishte eventi përmbyllës i projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i një ekosistemi digjital gjithëpërfshirës”, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Shoqata Konekt me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.

Leximi dhe shkrimi të zëvendësuar me përdorimin e mjeteve digjitale dhe siguria kibernetike

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, hapi konferencën duke theksuar se nëse më parë në punën e përditshme na duhej që të mbanim mend dhe të shkruanim saktë dhe shpejt, sot në epokën digjitale atyre si shkathtësi themelore u bashkëngjitet shkathtësia për të përdorur mjete digjitale dhe ajo se t’i ruajmë të sigurta informacionet.

“Sot kemi një sfidë të re –profilin digjital, ndërsa ai tashmë po bëhet shumë i rëndësishëm në këtë kohë të digjitalizimit. Ai tani është i rëndësishëm, nëse jo edhe më i rëndësishmi për sa i përket shërbimeve që qytetarët kërkojnë nga shteti, por për 10 vjet profili juaj digjital do të jetë në vend të parë. Prandaj tani i gjithë ekosistemi – edhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), edhe institucionet, edhe bizneset edhe sektori joqeveritar duhet të punojnë që t’i edukojnë të rinjtë, por dhe të tjerët për epokën digjitale”, tha ministri Aliu.

Ai theksoi se për MSHIA një nga sfidat kryesore është siguria e shërbimeve digjitale dhe siguria e të dhënave personale. Ai theksoi se për ta arritur këtë është e nevojshme që qytetarët të jenë të bindur se shërbimet digjitale janë të sigurta, ndërsa tani mendimi i publikut  është krejtësisht ndryshe. Në këtë drejtim, ministria tani është duke punuar për një projektligj për sigurinë kibernetike, i cili do ta mbulojë edhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Kjo zgjidhje duhet të përfshijë një qasje të shpejtë dhe të sigurt në internet, pra edhe në shërbimet digjitale për çdo qytetar të vendit deri në vitin 2030, por dhe unifikimin e infrastrukturës dhe proceseve të institucioneve. Shtylla tjetër kyçe që duhet të ndërtohet me këtë ligj është siguria më e madhe kibernetike, pjesë thelbësore e së cilës është menaxhimi me të dhënat personale të qytetarëve.

Konferencë për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Foto nga Marko Ugarkoviq - Fondacioni Metamorfozis
Konferencë për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Foto nga Marko Ugarkoviq – Fondacioni Metamorfozis

Si një element posaçërisht i rëndësishëm që duhet ndërtuar është trajnimi i administratës publike dhe qytetarëve për epokën digjitale, tha ai.

“Realizuam një testim jozyrtar në një institucion, nuk do e them tani se në cilin, dhe pamë që më shumë se 85 përqind e punonjësve nuk kanë njohuri bazë për protokollet dhe zgjidhjet teknike. Nga ana tjetër, tek qytetarët tani ka një nivel shumë të ulët të përdorimit të shërbimeve digjitale, për çka si përgjigje marrim se qytetarët nuk besojnë se kjo teknologji është e sigurt. Prandaj, fillimisht duhet të sigurohemi se ka një infrastrukturë të sigurt, e pastaj atë bindje t’ua përcjellim qytetarëve”, tha ministri Aliu.

Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në sferën digjitale dhe të përpiqen të mësojnë se si të mbrohen. Ministri Aliu tha se si hap themelor fjalëkalimet duhet të kenë të paktën 8 karaktere – shkronja, numra dhe karaktere të tjera, pastaj të aplikohet autentikimi i dyfishtë dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, qytetarët t’i lexojnë me kujdes kushtet për përdorimin e një shërbimi digjital apo një aplikacioni, për të parë se si do të përdoren të dhënat e tyre, nga të cilat të dhënat personale janë më të rëndësishmet.

“Nëse më parë vlerë kishin paratë apo gurët e çmuar, sot vlerë kanë të dhënat. Kini kujdes si i jepni ato, që disa të mos bëjnë miliona me të dhënat tuaja”, tha ministri e shoqërisë informatike dhe administratës.

Maria Kanellopoulou, këshilltare e parë në Delegacionin e BE-së në Shkup, shprehu disa këndvështrime për rëndësinë e sigurisë dhe privatësisë digjitale dhe për përpjekjet e BE-së në këtë sferë, por edhe për ndihmën e Unionit që vendi të arrijë nivelin e duhur. Leonora Kadriji, sekretare e përgjithshme e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, iu referua përpjekjeve dhe punës së Agjencisë.

Ndonjëherë duhet të kemi kujdes edhe nga kompanitë

Përgjegjësia e kompanive është tema kryesore e punës së shoqatës “Konekt”, tha Nikica Kusinikova, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës, andaj në kuadër të projektit ata trajtuan punën e kompanive në aspektin e përdorimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale nga ana e tyre dhe mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve si një nga të drejtat e njeriut. Në këtë proces duhet të përfshihet edhe shteti, por edhe gjyqësori, sepse, siç tha ajo, gjërat nuk mund të lihen vetëm në etikën e kompanive.

“Nëse një kompani zhvillon një softuer ose një zgjidhje, ajo nuk mund të abstrakohet dhe të thotë: “Unë e kam krijuar, ndërsa si e përdorin përdoruesit atë, kjo është puna e tyre”. Parim është që kompanitë ta inkorporojnë mbrojtjen e privatësisë në produktet e tyre, ndërsa shteti të na mbrojë nga keqpërdorimet. Kjo i përfshin edhe ombudsmanët”, tha ajo.

Ndonjëherë edhe shteti mund të abuzojë me mjetet për qëllimet e veta e me të cilat do të shkelë privatësinë, tha Kusinikova, duke treguar shembullin e disa mjeteve të zhvilluara gjatë pandemisë COVID-19 që i mundësonin një qytetari të shohë nëse ka njerëz të infektuar në afërsi të tij, që më vonë u përpunuan në mënyrë që shteti të mund t’i identifikojë njerëzit që marrin pjesë në protesta.

“Dhe kjo është shkelje e privatësisë,” tha Kusinikova.

Privatësia nuk ka vdekur, ajo është gjallë dhe me vlerë

Kur flas me miqtë për epokën digjitale dhe privatësinë, ata më thonë “Nuk ka më privatësi, ajo ka vdekur”. Unë nuk mendoj kështu dhe dua që ky mendim të ndryshojë, sepse privatësia sot është e gjallë sepse është shumë me vlerë, sepse ajo po monetizohet, tha Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis” në fjalimin e tij në hapjen e konferencës.

Ai foli për tre gjëra me rëndësi të jashtëzakonshme për “Metamorfozis” dhe për të personalisht. E para dhe më e rëndësishmja, tha ai, është sigurimi i masave reale për mbrojtjen e privatësisë, ndërsa këtë nuk mund ta bëjë vetëm një faktor.

“E para, ne të gjithë i përkasim këtij ekosistemi digjital, jo vetëm Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, MSHIA, Ministria e Punëve të Brendshme. Aty është edhe komuniteti akademik, organizatat e shoqërisë civile dhe ne të gjithë duhet të përfshihemi në krijimin e një kornize ligjore për mbrojtje. Mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësisë nuk duhet parë vetëm në disa “silose”, në pjesë të veçanta, por duhet punuar së bashku në atë perimetër sigurie që do t’i mbrojë të dhënat tona personale, kjo duhet kuptuar si diçka e përbashkët, përfshirë këtu edhe qytetarët,“ theksoi Jashari dhe përmendi se “Metamorfozis” ka punuar në këtë çështje me institucionet edhe para këtij projekti dhe do të vazhdojë të punojë edhe në të ardhmen.

Qytetarët duhet të bëjnë kujdes para se t’i japin diku të dhënat personale, por një pjesë e madhe e tyre duhet të mësojnë se mbrojtja e të dhënave personale nuk do të thotë që askush nuk duhet t’i dijë ato, theksoi drejtori ekzekutiv i “Metamorfozis”.

“Me përdorimin e mjeteve digjitale gjurma jonë digjitale është edhe më e madhe, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të kujdesemi për privatësinë tonë. T’i lexojmë rregullat e përdorimit, të shohim se si do të përdoren nga ato të cilëve ua japim të dhënat, duhet t’i kontrollojmë. Të themi ‘ju lejoj të përdorni të dhënat e mia vetëm për këtë’. Natyrisht, ne duhet të mbrohemi së bashku, të gjithë faktorët e përmendur të ndërtojmë një ekosistem të tillë ku të gjithë të ndihemi të sigurt për t’i përdorur mjetet digjitale dhe askush të mos mbetet jashtë atij ekosistem, jo ​​vetëm për mungesë mjetesh, por edhe për shkak të mungesës së njohurive”, tha drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.

Trajnimi i zyrtarëve të të dhënave personale duhet të jetë i vazhdueshëm

Në sesionin e dytë të konferencës së sotme përmbyllëse “Mbrojtja e privatësisë në epokën digjitale: Në kërkim të zgjidhjeve të përbashkëta”, për sfidat me të cilat janë përballur që nga fillimi i emërimit të tyre, por edhe sot, si dhe për disa situata në aspektin e mbrojtjes së privatësisë folën katër zyrtarë të mbrojtjes të të dhënave. Vesna Radinovska, menaxhere e projektit në Fondacionin “Metamorfozis”, në fillim sqaroi se që nga fillimi i projektit, në trajnime dhe mentorim janë përfshirë 70 zyrtarë nga institucione të ndryshme.

Konferencë për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Foto nga Marko Ugarkoviq -Fondacioni Metamorfozis
Konferencë për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Foto nga Marko Ugarkoviq -Fondacioni Metamorfozis

Marija Baban, zyrtare për mbrojtjen e të dhënave personale në Komunën e Kumanovës, tregoi se me kolegen e saj, Andrijana Llukarevska, krahas detyrave të tjera të punës, i kanë edhe detyrat si zyrtare të të dhënave personale, dhe se tashmë katë muaj mbajnë trajnime për më shumë se 250 punonjës në administratën komunale, sepse të dyja janë të bindura se mbrojtja e të dhënave personale është e një rëndësie të madhe. Ajo e falënderoi Fondacionin “Metamorfozis” për ndihmën e dhënë përmes trajnimeve dhe konsultimeve dhe theksoi se nevojitet një rrjetëzim më gjithëpërfshirës i zyrtarëve për bashkëpunim dhe mbështetje më të madhe reciproke.

Si shembull të veçantë nga puna e përditshme ajo përmendi video survejimin.

“Kemi vërtet shumë kujdes se çfarë regjistrohet, kush mund t’i shohë pamjet dhe si trajtohen materialet, si dhe se si dhe sa kohë ruhen ato,” tha Baban.

Kopjet e letrave të njoftimin shpesh herë përfundojnë në koshin e plehrave, në vend që të shkatërrohen

Diana Ristovska-Dodevski, zyrtare për mbrojtjen e të dhënave personale në Ministrinë e Shëndetësisë, një nga institucionet më të mëdha në vend, gjithashtu falënderoi Fondacionin “Metamorfozis” për mundësitë për trajnime dhe mbështetje, por theksoi se nevoja për trajnime është shumë më e madhe dhe bëri thirrje që Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të ofrojë trajnime falas për zyrtarët e tjerë të të dhënave personale, e jo vetëm për zyrtarin e parë.

Duke e theksuar numrin tejet të madh të mundësive që të dhënat personale të qytetarëve të keqpërdoren, Ristovska-Dodevski si detyrë kryesore të përditshme të saj e theksoi kujdesin dhe edukimin për parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme të numrave amë dhe video-regjistrimeve.

“Jam i befasuar nga ndihma e madhe që na dha “Metamorfozis” gjatë këtij një viti e gjysmë që jam në pozicionin e zyrtarit të të dhënave personale, me ç’rast me ta i kaluam hap pas hapi dhe i mësuam të gjitha gjërat që nga fillimi. Në të njëjtën kohë dua të kërkoj që Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të reagojë në mënyrën e duhur me paralajmërime – shpesh ndodh që dikujt t’i fotokopjohet letërnjoftimi dhe më pas, kur duhet të asgjësohet kopja, ajo thjesht hidhet në koshin e plehrave, me ç’rast ajo shumë lehtë mund të keqpërdoret nga një person tjetër”, tha ajo dhe në për fund dha një shembull interesant për atë se sa njerëzit nuk i dinë kufijtë e mbrojtjes së privatësisë.

“Ishte një person i cili kërkoi të shikonte videot, për të parë se ku ka shkuar gruaja e tij nëpër klinikë. Menjëherë e paralajmërova se kjo nuk lejohet me ligj, ndërsa nëse ai mendon ndryshe duhet të bëjë kërkesë me shkrim, por kjo nuk do të thotë se do të marrë përgjigje pozitive, por vetëm nëse ka një arsye serioze ligjore për një kërkesë të tillë” tha Ristovska-Dodevski.

Për përvojat e tyre dhe masat e ndërmarra në institucionet ku punojnë folën edhe Maja Damevska, zyrtare për të dhënat personale në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe Deniz Osmani, zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit.