Ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave, mbrojtja më e mirë nga keqpërdorimet e mundshme

Informimi për rëndësinë e të dhënave personale në RMV dhe mënyrat se si qytetarët të mbrojnë ato si dhe informimi për rolin e oficerëve për mbrojtjen e të dhënave, ishin këto disa nga temat që u diskutuan në panelin e dytë të konferencës “Mbrojtja e privatësisë në epokën digjitale: Në kërkim të zgjidhjeve të përbashkëta”. Në këtë panel me emrin “Bashkëpunimi ndër-sektorial në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut me fokus në privatësi dhe të drejtave të tjera digjitale”, në fokus gjithashtu ishte bashkëpunimi ndër-sektorial i institucioneve me qëllim të mbrojtjes së privatësisë dhe të drejtave të njeriut, raporton Portalb.mk.

Në këtë konferencë të organizuar nga Fondacioni Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” në bashkëpunim me Shoqatën “Konekt”, në panelin e dytë folës ishin mbikëqyrësja e lartë në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDHP), Sllobodanka Slavkovska; menaxherja e programit në Fondacionin Metamorfozis, Mila Josifovska Danilovska; drejtoresha ekzekutive e shoqatës Konekt, Nikica Kusinikova; menaxherja e projektit në Qendrën Juridike Hulumtim dhe Analizë, Milena Josifovska; këshilltarja për çështje juridike dhe përputhshmëri në kompaninë Mak-System, Dragana Kiprijanovska dhe Vesna Radinovska, menaxhere e projektit në Fondacionin Metamorfozis.

Salvkovska nga AMDHP tha se vitet e fundit Agjencia është e fokusuar në rritjen e ndërgjeshmërisë dhe në zvogëlimin e keqpërdorimeve të të dhënave personale, duke theksuar se disa qytetarë ende nuk janë të njoftuar me rolin e Agjencisë dhe se mund të drejtohen tek ato.

“Agjencia është fokusuar në ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe në dhënien e ndihmës së qytetarëve të njoftohen me të drejtat e tyre, me rolin e oficerëve të mbrojtjes së të dhënave personale por dhe me mënyrën se si të mbrojnë më së miri të dhënat e tyre personale por edhe të të tjerëve.” tha Salavkovska.

Ajo tha se ka raste kur qytetarët i kanë shpërndarë të dhënat e tyre nëpër ueb faqe të pasigurta dhe si pasojë u janë keqpërdorur të dhënat personale, posaçërisht në rastet kur është marrë kredi të shpejta në emër të tyre. Slavkovska theksoi se është e rëndësishme informimi i qytetarëve se si t’i mbrojnë të drejtat e tyre por edhe të tjerëve, pikërisht për t’i parandaluar këto raste kur pësojnë humbje financiare.

Kiprijanovska tha se rregullativat shtetërore duhet të ndryshojnë shpejtë për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë dhe se sfida më e madhe e tyre është pikërisht ekzistimi i zbrazëtirave ligjore që pamundësojnë vendosjen e mekanizmave për shkëmbimin e sigurt të të dhënave si në vend ashtu dhe jashtë.

“Për ne si sektor biznesi, problemi më i madh është shkëmbimi i të dhënave personale kur nuk ka mekanizma të sigurt. Bizneseve nuk u ndalohet shkëmbimi i të dhënave personale, mirëpo kjo procedurë duhet të rregullohet me ligj”, tha Dragana Kiprijanovska.

Nikica Kusinikova tha se kompanitë dhe bizneset kur mbledhin të dhëna personale duhet të dinë qëllimin se përse janë duke i mbledhur ato që të mos mbledhin të dhëna personale të cilat nuk iu nevojiten.

“Një kompani apo organizatë kur përgatit një biznes plan dhe duhet të bëjë analiza, duhet të ketë kujdes me të dhënat personale që i mbledh, për çfarë qëllimi u duhen këto të dhëna, a u duhen të dhëna si numri amë dhe për çka do t’i përdorin” tha Nikica Kusinikova.

Vesna Radinovska nga Fondacioni “Metamorphosis” tha se nëpërmjet aktiviteteve të tyre, angazhohen që ta rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së të dhënave personale.

“Mënyra ne si kontribuojmë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave personale është duke publikuar tekste të ndryshme edukative në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht, duke publikuar video të ndryshme në rrjetet sociale, duke mbajtur webinare të ndryshme me ekspertë. Momentalisht jemi në fazat e fundit të një platforme digjitale – ueb-faqe edukative për Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, tha Radinovska.