Përfitimet e Planit të Rritjes të BE-së nuk janë të njohura mjaftueshëm për qytetarët e RMV-së
Përfitimet nga Plani i Rritjes të BE-së nuk janë mjaftueshëm të njohura për opinionin në Maqedoninë e Veriut. Këtë mes tjerash e tha sot ministri i Çështjeve Evropiane. Ndërsa sipas kryeministrit, Agjenda e Reformave nuk është vetëm kusht për integrim, por është instrument për shërimin e shoqërisë së RMV-së, raporton Portalb.mk.
Sipas ministrit Orhan Murtezani, “i gjithë ky proces, jo vetëm për ne, por edhe për Komisionin Evropain është ‘learning by doing’ (duke mësuar nga të bërit), është proces i ri”.
Ai tha se reformat që janë duke u zbatuar për periudhën 2024–2027 janë pjesë e një pikture më të madhe dhe nuk synojnë vetëm t’i plotësojnë kërkesat e Komisionit Evropian.
“Ato synojnë për çdo qytetar që dëshiron arsimim të qasshëm, administratë efikase, ajër të pastër, drejtësi të ndershme dhe punë të vyeshme. Agjenda e reformave është më shumë se dokument programor. Është kornizë konceptuare për ripërcaktimin e logjikës institucionale të shtetit, mënyrë për të kapërcyer zbrazëtirat sistematike mes ligjit dhe drejtësisë, mes politikës dhe interesit publik, mes politikave ekonomike dhe zhvillimit njerëzor”, tha Murtezani.
Për këtë qëllim, Murtezani theksoi se Agjenda përfshin prioritetet më të rëndësishme: sundimin e së drejtës, transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër, përforcimin e kapitalit njerëzor dhe qeverisjen e mirë.
Plani për rritje dhe Agjenda Reformuese sipas kryeministrit të vendit Hristijan Mickoskit, nuk është vetëm kusht për integrim, por është instrument për shërimin e shoqërisë sonë.
“Integrimet dhe rritja janë busulla jonë, por reformat duhet të jenë vendimet tona, politikat tona, pjekuria jonë kombëtare. Korrupsioni është një problem sistemik, jo një devijim individual. Nëse duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, nëse duam rritje, duhet ta rrëzojmë atë sistem. Kemi situata të trashëguara në të cilat qytetari ndjehet i poshtëruar, i pafuqishëm, i detyruar të “paguajë për të marrë” – qoftë ndihmë mjekësore, mbrojtje ligjore apo ndonjë shërbim administrativ. Një shtet i tillë nuk mund të përparojë”, tha Mickoski.
Ai theksoi se reformat në sektorin e gjyqësorit janë më urgjentet., sepse pa to, siç tha ai, të gjitha reformat e tjera janë të pavlera.
“Asnjë shtet nuk zhvillohet vetëm me institucione – nevojitet një ekonomi funksionale. Prandaj Agjenda Reformuese dhe Plani për Rritje duhet të ecin krah për krah me mbështetjen për sipërmarrësit vendas, tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe një treg të ndershëm ku nuk ka monopole, lojtarë të privilegjuar apo barriera administrative për qytetarin e zakonshëm”, tha Mickoski.
U theksua edhe roli dhe rëndësia e sektorit civil që luajnë në bërjen e reformave.
Këto komente u bënë në tryezën e rrumbullakët me temë “Fuqizimi i ndryshimit: Mirëkuptimi i Agjendës së Reformave dhe roli i saj në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut“, që u mbajt në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, organizuar nga UNOPS.
Kujtojmë që Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë në rajon që ka marrë këstin e parë prej 52 milionë eurove në në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje nga ana e Komisionit Evropian.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.