Përfaqësimi i grave në politikë në RMV çalon, Osmani pret nga konferenca e OSBE-së në Tetovë të dalin rekomandimet për progres

OSBE-ja sot zbarkoi në Tetovë për konferencën mbi barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, konferencë kjo nën kryesimin e RMV-së me OSBE-në. RMV-ja ende çalon për sa i përket barazisë gjinore dhe përfaqësimit të gruas në shoqëri. Për këtë, kryesuesi i OSBE-së, njëherit edhe ministri i Jashtëm i vendit, Bujar Osmani i vetëdijshëm për përfaqësimin e ulët të gruas në shoqëri, tha se pikërisht konferenca ka për qëllim që të jep rekomandimet konkrete, jo vetëm për vendin, por për të gjitha vendet që mbulon OSBE-ja. Ndërkaq, Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid theksoi se barazia gjinore është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe sigurinë, shkruan Portalb.mk.

Osmani theksoi se kjo është konferenca e parë në këtë tematikë për shkak se në 50 vitet e ekzistimit të organizatës nuk ka pasur një fokusim të tillë në drejtim të barazisë gjinore, fuqizimit të rolit të gruas.

“Iniciova një nismë të re që mendoj se do jetë vlerë e shtuar në rolin e OSBE-së, ajo është fokusi mbi atë që quhet maltretimi online të grave, veçanërisht të gazetarëve, konsiderojmë se roli i OSBE-së është pikërisht jo vetëm mbrojtjen e lirisë së mediave por edhe qasjen gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë”, tha Osmani.

Shmid mes tjerash nënvizoi se barazia gjinore është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e qëndrueshme.

“Por ne jemi dëshmitarë të pengesave dhe tendencave vërtet shqetësuese për të drejtat e grave sot në mbarë globin. Diskriminimi është ende i përhapur. Së pari, ne duhet të vazhdojmë të investojmë në lidershipin e grave dhe të mbështesim qasjen në rolet vendimmarrëse. Së dyti, ne duhet të promovojmë fuqizimin ekonomik të grave dhe të adresojmë të gjitha barrierat me të cilat përballen gratë. Së treti, ne duhet të luftojmë kundër të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave, kemi nevojë për mekanizma efektiv. Gratë përbëjnë 50% të popullsisë, zëri i tyre vlen”, tha Shmid.

Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani dhe sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani dhe sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

E pyetur për përfaqësimin e grave nëpër institucione në RMV, Shmid tha se ka parë numër të lartë të deputeteve për shembull dhe se ka parë edhe nisma të tjera në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, në pyetjen e Portalb.mk se deklarativisht vendi qëndron mirë për barazinë gjinore, ndërsa në praktikë të dhënat tregojnë të kundërtën, marrë si shembull përfaqësimin e ulët të grave në ekzekutiv, si kryetare komunash apo si drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore publike, dhe nëse kjo është në kontradiktë me atë që flasin zyrtarët, ministri Osmani tha se qëllimi i konferencës është pikërisht kjo, për të rritur vetëdijen për nevojën e fuqizimit të rolit të gruas në shoqëri.

“Roli i kësaj konference është pikërisht të mbledhë eksperienca të ndryshme dhe të japë rekomandime konkrete që pastaj do bëhen përcaktime për 57 vendet participuese të OSBE-së. Nga kjo do të përfitojmë edhe ne këtu, kjo konferencë nuk i dedikohet vetëm Maqedonisë së Veriut, i dedikohet tre kontinenteve ku shtrihet OSBE-ja. Ne duhet si politikë që të ndërmarrim masa në kuadër të këtyre normave dhe përcaktimeve që i imponon OSBE që të përmirësojmë pozitën e gruas në këto pozicione vendimmarrëse për të cilat ju flisni. Pajtohem me ju se situata nuk është e kënaqshme por unë mendoj se këtë konferencë e bëjmë për t’u dhënë mesazh të gjithëve edhe partive politike, edhe qeverive, gjithë atyre që përcaktojnë rolin e grave në shoqëri që të keni kujdes për shkak se nuk ka demokraci të mirëfilltë, nuk ka progres të mirëfilltë pa participim të barabartë grave në gjitha poret e jetës dhe shoqërisë”, tha Osmani.

Në konferencë janë paraparë sesione pune dhe panele, ku pjesëmarrës janë përfaqësues të qeverive, zyrtarë të OSBE-së, profesorë, studiues, ekspertë dhe të tjerë. Konferenca do të vazhdojë edhe nesër.

Ndryshe, për sa i përket përfaqësimit gjinor, në Qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, nga gjithsej 37 poste ministrore, vetëm 7 janë gra. Për dallim nga Qeveria, Kuvendi ka përfaqësim më të mirë të grave, kjo pasi Kodi Zgjedhor e në një far forme i obligon partitë t’i përfshijnë gratë në lista për deputetë. Nga gjithsej 120 deputetë, 51 janë gra.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e deri më sot, nuk ka pasur asnjë grua si presidente, kryeministre apo kryetare kuvendi. Vetëm dy gra kanë qenë ushtruese detyre si kryeministre dhe kryetare kuvendi për më pak se një muaj.

Dëshpërues është numri i grave të cilat udhëheqin me komunat në vend, nga gjithsej 81 komuna, vetëm 2 udhëhiqen nga kryetare gra.

Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, struktura gjinore në Maqedoninë e Veriut është thuaj se e njëjtë. Konkretisht gra ka 925,626 (50.4% ) dhe burra 911,087 (49.6%).

Që vendi nuk po bën mjaftueshëm në drejtim të barazisë gjinore, kjo mund të edhe nga raportet ndërkombëtare për vendin, konkretisht në raportet e fundit të Departamenti Amerikan i Shtetit dhe të Komisionit Evropian.

Ndërkaq dje, UN Women Shkup publikoi Profilin e parë për barazinë gjinore për Maqedoninë e Veriut (CGEP). Profili gjinor vë në pah statusin e të drejtave të grave në Maqedoninë e Veriut dhe përshkruan nevojat, sfidat dhe mundësitë në gjashtë fusha të ndryshme tematike, si: qeverisja dhe pjesëmarrja në jetën publike; pjesëmarrja ekonomike e grave; arsimimi dhe trajnimi i grave dhe vajzave; gratë dhe shëndeti; dhuna ndaj grave; dhe gratë, paqja dhe siguria. Për secilën fushë janë dhënë rekomandime për të lehtësuar zhvillimin e strategjive, programeve dhe projekteve që përfshijnë aspektin gjinor.