Për të gjithë miqtë e mi artistë nga e gjithë bota…
Mesazhi për Ditën Botërore të Teatrit nga Samiha Eyoub, aktore egjiptiane
Mesazhi për Ditën Botërore të Teatrit nga Samiha Eyoub, aktore egjiptiane. Përkthyer enkas për Portalb.mk, nga Xhemazije Rizvani.
Ju shkruaj këtë mesazh në Ditën Botërore të Teatrit, dhe më vjen të klith nga gëzimi që po ju flas, çdo fije e qenies sime ndrydhet nën peshën e asaj që ne të gjithë e vuajmë, qofshi njerëz të teatrit ose jo – nga hallet e rënda dhe ndjenjat e përziera shkaku i gjendjes në të cilën është katandisur bota.
Luhatja është rezultat i drejtpërdrejtë i asaj që bota jonë po kalon sot për sa i përket konflikteve, luftërave dhe fatkeqësive natyrore që kanë pasur efekte shkatërruese jo vetëm në botën tonë materiale, por edhe në botën tonë shpirtërore dhe paqen tonë psikologjike.
Po flas me ju sot, ndërsa kam ndjesinë se e gjithë bota është bërë përplot ishuj të izoluar, apo varka që nisen drejt horizonteve të mbushura me mjegull, secila prej tyre shtrin velat e lundron duke mos parë asgjë para që ta drejtoj atë, dhe pavarësisht kësaj, ajo vazhdon të lundrojë, duke shpresuar të arrijë një liman të sigurt ku të pushoj, pas bredhjeve të gjata në mes të një deti plot zhurmë.
Njerëzit kurrë nuk kanë qenë më afër njëri-tjetrit sesa sot, por në të njëjtën kohë nuk kanë qenë më të çorientuar dhe më larg njëri-tjetrit se sa sot. Këtu qëndron paradoksi dramatik që na imponon bota jonë bashkëkohore. Pavarësisht nga ajo që po shohim të gjithë në drejtim të konvergjencës në qarkullimin e lajmeve dhe komunikimeve moderne që tejkalojnë të gjitha barrierat e kufijve gjeografikë, konfliktet dhe tensionet që po përjeton bota i kaluan kufijtë e perceptimit logjik dhe krijuan mes kësaj konvergjence të dukshme, një divergjencë të madhe që na largon nga thelbi i vërtetë i njerëzimit në një mënyrë krejtësisht të lehtë.
Teatri është një akt thjesht njerëzor i bazuar në esencën e vërtetë të njerëzimit, që është jeta. Sipas fjalëve të mjeshtrit të madh Konstantin Stanislavski, “Mos hyni kurrë në teatër me këmbë të përlyera. Lini pluhurin dhe papastërtitë tuaja jashtë. Kontrolloni brengat e vogla, grindjet, vështirësitë me dukjen tuaj të jashtme – të gjitha gjërat që shkatërrojnë jetën dhe lëreni te dera gjithçka që ua tërheq vëmendjen nga arti juaj ” .
Kur ngjitemi në skenë, e ngjitemi me vetëm një jetë brenda nesh për një qenie njerëzore, por kjo jetë ka një aftësi të madhe për t’u ndarë dhe shumëfishuat për t’u shndërruar në shumë jetë që ne transmetojmë në këtë botë, që ajo të marrë jetë, të lulëzojë dhe përhap aromën e saj te të tjerët.
Ajo që bëjmë në botën e teatrit si dramaturgë, regjisorë, aktorë, skenografë, poetë, muzikantë, koreografë dhe personel teknikë, të gjithë pa përjashtim, është një akt i krijimit të jetës që nuk ekzistonte para se të dilnim në skenë. Kjo jetë meriton një dorë të kujdesshme që e mban, një gjoks të dashur që e përqafon, një zemër të mirë që bashkëndjen dhe një mendje e matur që i siguron asaj arsyet që i duhen për të vazhduar dhe mbijetuar.
Nuk e teproj kur them se ajo që bëjmë në skenë është vetë akti i jetës dhe e krijon atë nga hiçi, si një prush djegës që shkëlqen terrin duke ndriçuar errësirën e natës dhe duke ngrohur ftohtësinë e saj. Jemi ne ata që i japim jetës shkëlqimin e saj. Ne jemi ata që e ngjizim atë. Ne jemi ata që e bëjmë të gjallë dhe kuptimplotë. Dhe ne jemi ata që japim arsyet për ta kuptuar atë. Ne jemi ata që përdorim dritën e artit për t’u përballur me errësirën e injorancës dhe ekstremizmit. Ne jemi ata që përqafojmë doktrinën e jetës, që jeta të përhapet në këtë botë. Për këtë, ne japim mundin tonë, kohën, djersën, lotët, gjakun dhe nervat tona, gjithçka që duhet të bëjmë për të arritur këtë mesazh të lartë, duke mbrojtur vlerat e së vërtetës, mirësisë dhe bukurisë dhe duke besuar vërtet se jeta meriton të jetohet.
Po ju flas sot, jo thjesht për të folur, apo edhe për të festuar babain e të gjitha arteve, “teatrin”, në ditën e tij botërore. Përkundrazi, ju ftoj të qëndrojmë së bashku, të gjithë krah për krah , të thërrasim me zë të lartë, siç jemi mësuar në skenat e teatrove tona dhe të lëmë fjalët tona të dalin për të zgjuar ndërgjegjen e gjithë botës, për të kërkuar brenda jush thelbin e humbur të njerëzimit.
Çfarë i mungon njeriut… Të lirë, tolerant, të dashur, të butë të pranojë tjetrin? Le të heqim dorë nga ky imazh i neveritshëm i brutalitetit, racizmit, konflikteve të përgjakshme, mendimit të njëanshëm dhe ekstremizmit. Njeriu ka ecur në këtë tokë dhe nën këtë qiell për mijëra vjet dhe do të vazhdojë të ecë të dalë nga balta e luftërave dhe konflikteve të përgjakshme dhe t’i ketë këmbët e pastra përpara skenës. Ndoshta, njerëzorja e tyre që është mjegulluar nga dyshimi sërish do kthjellohet dhe do të na bëjë të krenohemi me vlerat tona që na bëjnë njerëz dhe që jemi të gjithë vëllezër e motra.
Është misioni ynë, i dramaturgëve ,bartësve të pishtarit të iluminizmit, që në daljen e parë të aktorit në skenë të jemi në ballë me gjithçka që është e shëmtuar, e përgjakshme dhe çnjerëzore. Ne e luftojmë atë me gjithçka që është e bukur, e pastër dhe njerëzore. Ne dhe veç ne, kemi aftësinë për të përçuar jetën. Le ta përçojmë njëzëri për hir të kësaj bote dhe të këtij njerëzimi.