Për shkak problemeve në ndeshjen e fundit, Federata i ndaloi ndeshjet e futbollit në stadiumin e Kavadarit

Për shkak parregullsive në ndeshjen e organizuar në javën e VI-të në Ligën e Parë, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka ndërprerë aktivitetet në stadiumin e Kavadarit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar, transmeton Portalb.mk.

“Fusha (Stadiumi i qytetit të Kavadarit) PEZULLOHET sipas nenit 77, 87 dhe 90 të Rregullores së Garave të FFM-së për shkak të sulmit (hedhjes e një shishe të plastikës) ndaj ndihmës gjyqtarit të dytë Goce Petrevski, gjatë së cilës ndeshja u ndërpre”, njoftuan nga Federata.

Ndeshja ndërmjet Tikveshit dhe Vardarit është luajtur të dielën në stadiumin e Kavadarit. Ndeshja ishte ndërprerë kur Vardari ishte duke fituar me rezultat 0-1. Ndeshja mbaroi me rezultat zyrtar, 0-3.

Me fillimin e sezonit 2024/25 në futbollin e Maqedonisë së Veriut, janë raportuar edhe probleme të ndryshme, si sulme fizike ndaj sportistëve ose punonjësve të ndryshëm në ndeshje e futbollit dhe basketbollit. Një problem i tillë ndodhi edhe në ndeshjen ndërmjet KB Çair 2030 dhe TFT, në palestrën “Kale”.

Ndryshe, për herë të parë në këtë sezone, gjysma e ekipeve në Ligën e Parë janë ekipe shqiptare, gjashtë nga dymbëdhjetë ekipet: Struga, Shkupi, Shkëndija, Gostivari, Voska dhe Besa e cila tani është inkuadruar.

Kampioni i Ligës së Parë në sezonin 2023/24 në Maqedoninë e Veriut u shpall Struga Trim&Lum, pasi në javët e fundit u zhvillua një garë e ngushtë së bashku me Shkëndijën dhe Shkupin. Në garën për fitues në Kupën e Maqedonisë, Tikveshi ka fituar kundër ekipit të Voska Sportit.