Mbaroi finalja e Kupës së Maqedonisë në futboll

Sot në stadiumin “Teodor Proeski’ në Shkup u zhvillua finalja e futbollit në Kupën e Maqedonisë për vitin 2024. Në këtë ndeshje u përballën Tikveshi nga Kavadari dhe Voska Sporti i Ohrit. Tikveshi arriti të fiton në finale, transmeton Portalb.mk.

Ekipi shqiptar nga Ohri për herë të parë mori pjesë në finale e Kupës, duke marrë parasysh se ky ekip për herë të parë në këtë sezonë ka marrë pjesë edhe në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Sikurse edhe Voska, për herë të parë në finale e kësaj Kupe mori pjesë edhe Tikveshi.

Për herë të parë në këtë ndeshje në Maqedoninë e Veriut u shfrytëzua edhe sistemi VAR, sistem që u menaxhua nga Visar Kastrati dhe Drilon Rexhepi nga Kosova, së bashku me Dimitar Pileshkovin dhe Daniel Vasilevskin nga Maqedonia e Veriut.

Për herë të parë sistemi VAR në Kupën e Maqedonisë. Pamje nga RTMV
Për herë të parë sistemi VAR në Kupën e Maqedonisë. Pamje nga RTMV

Në minutën e 41-të, ekipi i Tikveshit shënoi golin e parë, pas shumë mundësive të pashfrytëzuara që i pati në pjesën e parë. Stojkovski e zhbllokoi rezultatin përmes një gjuajte të lirë. Me rezultatin 1-0 mbaroi pjesa e parë.

Në minutën e 59-të, Santos arriti të shënon për Tikveshin, duke e dyfishuar dallimin në 2-0. Në minutën e 77-të, Voska e shfrytëzoi një gabim të portierit të Tikveshit, ashtu që e ngushtoi rezultatin në 2-1. Me këtë rezultat u mbyll edhe finalja e Kupës së Maqedonisë për vitin 2024.

Tikveshi, si fituese e Kupës, së bashku me Strugën dhe Shkëndijën do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në garat evropiane.

Ndryshe, në sezonin 2023/24 në Ligën e Parë në Maqedoninë e Veriut ekipi Struga Trim&Lum ka arritur të shpallet kampion, e ndjekur nga Shkëndija dhe Shkupi. ndërsa Voska Sport arriti të siguron pozitën e tetë, pozitë që i mundëson garën në Ligën e Paarë për sezonin 2024/25.