Rritje e rrogës mesatare mbi 16 përqind në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e rrogës mesatare në shtator për 16.4 përqind, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ashtu që rroga mesatare në këtë muaj arriti  37 876 denarë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër te kondicionuar (25.8%), Administrim publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm (24.8%), Furnizimi me ujë; kanalizimi, veprimtaritë e menaxhimit dhe të trajtimit të mbeturinave (20.5%)”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Rritje e rrogës është vërejtur edhe te sektori për Furnizim me energji (11.8 %), arsimi (10.9 %), administrimi publik dhe mbrojtja (9.1 %). Rroga më e madhe neto e regjistruar në muajin shtator ishte te reparti për Programim kompjuterik 92 568 denarë.

Enti raportoi që rroga mesatare mujore bruto në muajin shtator arriti 56 896 denarë.