Për rojet e namusit të huaj

Para do kohësh më bëri përshtypje një debat televiziv mbi raportet e shqiptarëve me fqinjët, ku fjalën e kishin ekspertët e të gjitha temave, që nga mbjellja e preshëve gjer tek qytetërimet e Marsit.

Në veçanti më bëri përshtypje një profkatar grekoman që ha bukën e Shqipërisë dhe punon për interesat e tjetrit. Gjynahu mundohej të arsyetojë synimet ekspansioniste serbo-greke ndaj shqiptarëve, që edhe sot luakan rolin e kuajve trojanë dhe qenkan kolona e pestë në shtetet e bashkëvendësve të tyre greko-sllavë!?

Kjo qe pjesa që ndoqa nga (e)misioni i Çanit, sepse aq m’u desh për t’u bindur me fund se muçët dhe jazexhinjtë nuk ia duan të mirën Shqipërisë së konceptuar si tokë mera, si mall që mund ta shesë çdo xhambaz shqipzallahitës.

Nuk them se nuk ka pasur dhe nuk ka shqiptarë që, në rrethana të caktuara, nuk janë bërë e nuk bëhen mercenarë të tjetrit në dëm të kombit dhe shtetit të tyre, por ta përgjithësosh këtë është marrëzi sui generis. Veçmas kur këtë e bëjnë persona publikë që shesin medieve gjepura për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. E them këtë, sepse, ashiqare, i manipulojnë të vërtetat historike dhe aktuale në të cilat jetojmë ne – “nëpërkëmbësit” e të drejtave të fqinjëve, ne ushtarët e “kolonave të pesta” të muç-jazexhinjëve. Do të ishte ndryshe sikur debatuesit të kishin pak më shumë njohuri  për të shkuarën e shqiptarëve të bërë pik-e-pesë sajesave ballkanike. Do t’u mjaftonte edhe leximi i një vepreje të vetme si “Kryengritja e Dervish Carës”, për ta mësuar një herë e mirë se janë të tjerë ata që historikisht kanë shtypur shqiptarët, duke na pushtuar, duke na asimiluar, duke na përzënë prej vatrave të të parëve. E përmenda këtë vepër serioze historike, sepse është shkruar prej një joshqiptari që hedh dritë mbi të vërtetat e kryengritjes së bërë në kohën e Tanzimatit, që pati shtrirje të madhe gjeografike, nga Dibra deri në Vrajë, të cilën e bënë pikërisht shqiptarët gegë të besimit musliman, të cilët gjithollogët e kurgjësë i identifikojnë me pushtuesit otomanë, kurse pasardhësit e tyre i quajnë armiq të brendshëm dhe të fshehtë të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

E përmenda veprën “Kryengritja e Dervish Carës”, të autorit vllah, Aleksandër Matkovskit, që ndriçon epopenë e madhe, nga e cila kuptojmë të vërtetën e një beteje heroike të shqiptarëve, që arritën të çlirojnë pothuajse të gjitha vendbamimet e tyre, duke u ndeshur me ushtrinë disa herë më të madhe e më të armatosur, në krahë të së cilës ishin edhe “viktimat” e muços, serbët dhe vëllezërit e tyre. E përmenda këtë vepër, të cilën, po ta kishin lexuar “ekspertët” e debatit, ndoshta  nuk do të katandiseshin në roje të namusit serbo-grekë. Në një rast të këtillë, ndoshta do t’i shihte gjërat siç i sheh autori i këtyre reshtave, për të cilin duhet të jesh mashë në shërbim të tjetrit për të plasuar publikisht të pavërteta ordinere që dëmtojnë kombin tënd. Ndryshe, si është e mundur që shqiptarët të kenë bërë zullume ndaj serbëve, në një kohë kur këta të fundit e pushtuan me miratimin e shtetit osman Sanxhakun e Nishit me disa qytete si: Vraja, Toplica, Prokupla, Leskoci… dhe mbi 700 katunde shqiptare, duke i përzënë vendorët prej vendbanimeve të tyre, duke i torturuar, persekutuar e vrarë në mënyrën më mizore, për çka kanë shkruar edhe historianët serbë.

Mjerisht këto nuk i di, apo edhe më keq, bën se nuk i di kabilja e gjithologëve të Zonës së lirë, që nunuris shqiptarët e painformuar me rrëfime dardha te kumlla, me profka të besueshme vetëm prej mendjeve të klasës së katërt të Faik Konicës, sepse janë krejtësisht të palogjikshme krimet shqiptare ndaj serbëve gjatë sundimit osman, kur dihet se, pikërisht asokohe, serbët pushtuan më shumë se gjysmën e Sqipërisë. Historia dëshmon se as në periudhat e mëvonshme historike shqiptarët, edhe po të donin, nuk patën mundësi të ushtrojnë dhunë institucionale ndaj fqinjëve që na trajtojnë si pakica kombëtare. Shi për këtë, pohimet e ekspertëve të Zonës, rezultojnë të dyshimta, sepse ndryshe do të ndodhte e pandodhura: ne “dëmto” serbët, ata pushto Kosovën, Luginën e Preshëvës, asimilo e shkombëtarizo shqiptarët e Pazarit të Ri, shpërngul me dhunë shqiptarët në shkretëtirat e Anadollit…; ne “dëmto” malaziasit, ata zapto Çakorin e sllavizo fiset shqiptare në Kuçeviqë, Bjellopavliqë, Vasojeviqë, Gjukiqë, Berishiqë, Shaliqë, Koliqë…; ne “dëmto” grekët, ata pushto Çamërinë, persekuto e dëbo me akte gjenocidiste shqiptarët nga pronat e tyre, vizato me varre të rreme harta Vorio Epirësh në zemër të Shqipërisë…

Kjo nuk ka logjikë, prandaj duhet dëgjuar Konica që porosit: ”ta mbajmë gojën mbyllur kur nuk kemi gjëra të mençura për të thënë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.