Shumica e personaliteteve të mëdha të njerëzimit janë përbuzur dhe shpesh janë marrë për budallenj nga bashkëkohësit e tyre. Shkaqet e kësaj përbuzjeje kanë qenë, jo rrallë, pikërisht veprat e tyre gjeniale – zbulimet e rëndësishme shkencore apo veprat artistike, të cilat e kanë shtyrë njerëzimin përpara.
Disa prej tyre madje janë likuiduar e persekutuar rëndë vetëm pse kanë jetuar dhe janë sjellë ndryshe nga të tjerët; pse u janë përkushtuar tërësisht pasioneve të tyre; pse kanë prishur notën mesatare të vdekatarëve të rëndomtë në mjediset ku kanë jetuar; pse u kanë dhënë njerëzve zjarrin e Prometeut; pse i kanë shkelur gjarprit në bisht; pse, në jetën e përdishme, nganjëherë kanë shfaqur sjellje të ngjashme me të marrët; pse…
Historia njerëzore, pra, është e mbushur ding me personalitete të këtij soji, por ne po ndalemi te njëri prej tyre – te Konfuçi (551-479 para e. r.), i cili i vuri vulën qytetërimit kinez, njërit prej qytetërimeve më të lashtë të botës.
Po kush ishte, në të vërtetë, Konfuçi?
Njohësit e jetës dhe veprës së tij thonë se ishte pinjoll i një familjeje të pasur të mbretërisë Lu (sot e njohur si krahina Shantung). Mbeti herët pa baba, por, nën përkujdesjen e nënës, u shkollua dhe u bë mësues. Megjithatë, Konfuçi braktisi herët profesionin e mësuesit dhe iu përkushtua tërësisht pasionit të tij: mbledhjes dhe studimit të pasurisë shpirtërore të lashtësisë kineze nëpër arkivat e perandorisë së kohës. Pikërisht për këtë, ai braktisi vendlindjen dhe u vendos në Loyang, asokohe kryeqendër perandorake.
Këtu punoi me zell, por nuk ia doli t’i imponote konceptet e veta për rregullimin e shtetit dhe të shoqërisë kineze, të cilat i kishte gjetur në të shkuarën e largët. I dëshpëruar, u largua nga kryeqendra dhe, bashkë me disa nxënës dhe bashkëmendimtarë, brodhi e studioi nëpër krahina të ndryshme të Kinës. Në verndlindje u kthye në moshë të thyer dhe iu përkushtua sistemimit të materialit të mbledhur gjatë gjithë jetës.
Vepra e Konfuçit la gjurmë të pashlyeshme, sidomos pas shekullit. II para erës sonë, kur konfuçianizmi u pranua si doktrinë zyrtare në shoqërinë kineze. Studiuesit thonë se ajo kërkonte një rend të rreptë klasor e hierarkik, mbronte interesat e klasës sunduese dhe përqendrohej në mësimet moralo-etike e politike, sipas të cilave sumdimtari duhej të sillej si sundimtar, ministri si ministër, babai si baba dhe djali si djalë…
Pesë librat klasikë që tradita ia lidh emrit të Konfuçit – Libri i këngëve, Libri i ndryshimeve, Libri i historisë, Libri i ritualeve dhe Pranvera dhe vjeshta – janë përdorur për shekuj me radhë si libra shkollorë për edukimin moral.
Nga pikëpamja letrare, konfuçistët e konsiderojnë si veprën më të rëndësishme Librin e këngëve, një përmbledhje të zgjedhur të poezisë së lashtë kineze, e cila, sipas traditës, u përzgjodh dhe u sistemua nga Konfuçi. Për të, këto poezi shprehin ndjenjat, mendësinë dhe synimet e përhershme të popullit konez.
Libri në fjalë përbëhet nga këngë solemne dhe hymne të kënduara në ceremoni pallatore ose gjatë flijimeve kushtuar heronjve të lavdishëm. Ai përfshin edhe poezi me frymë realiste, të jetës shoqërore, doket, zakonet, dashurinë midis të rinjve, si dhe gëzimet e vuajtjet e popullit.
Njohësit e Librit të këngëve e veçojnë si krijim më të guximshëm poezinë Miu i madh, ku përmes një alegorie të fuqishme, sfidohet tirania e sundimtarit dhe pangopësia e “minjve” të tjerë grykës, që pasurohen me djersën dhe fatkëqësitë e njerëzve të thjeshtë.
Sa e gjithkohshme e sa e gjithandejshme është kjo vepër 2500 vjeçare!
Sa keq që s’i kemi në shqip poezitë e Konfuçit!
Të paktën atë për minjtë e mëdhenj.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.