Njerëzit e artit kanë shpërndarë kumte paqeje, humanizmi, bashkëpunimi dhe solidariteti ndërmjet njerëzve dhe kombeve. Ata shpesh e ëndërruan një botë ku njerëzit e përkatësive të ndryshme etnike do të jetonin në paqe dhe do t’i respektonin dallimet identitare. Por ëndrrat e artistëve shpesh janë prishur nga gjëmimi i armëve.
Për njeriun e artit është e pakëndshme përkrahja e çdo mentaliteti luftarak. Megjithatë, si adhurues i paqes dhe si qytetar i Europës, ku hijet e absurdit të luftës mbulojnë pjesë të qiellit të saj, e di se vetëm nëpërmjet një mentaliteti të ri mund të ruhet paqja në kontinentin tonë.
Thënia e stërpërsëritur “nëse dëshiron paqe, përgatitu për luftë”, sot është më aktuale se kurdoherë. Europa duhet të përgatitet fuqishëm jo për të filluar një luftë të re, por për ta parandaluar një luftë të mundshme shkatërrimtare. Europën e fuqishme ushtarakisht askush s’do të guxonte ta sulmonte. Historia ka dëshmuar se shtetet e fuqishme i shmangen luftës ndërmjet vete. E kundërta mund të rezultojë me një katastrofë për qytetërimin europian.
Për një realitet dhe mentalitet të ri europian foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili u kërkoi europianëve kalimin në “mentalitet lufte”, përderisa “rreziku afrohet shpejt”. Ai citohet të ketë thënë se shtetet europiane duhet të ndajnë “shumë më tepër burime” për mbrojtje, me qëllim që të “parandalohet lufta tjetër e madhe në tokën e NATO-s”, sepse “ajo që ndodh në Ukrainë mund të ndodhë këtu”. Ai shtoi se përderisa ekonomia ruse funksionon në baza ushtarake, vendet europiane refuzojnë të shpenzojnë për rritjen e aftësive të tyre mbrojtëse.
Një Europë e pafuqishme mund të nxisë arrogancën dhe ambiciet e Rusisë për të sulmuar në të ardhmen edhe vende të tjera të saj.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, liderët europianë menduan se koha e luftërave të mëdha kishte përfunduar. Koha dëshmoi se ata nuk ishin vizionarë. Gjendjen e sotme e parashikuan shumë europianë të mirë, por zëri i tyre nuk u dëgjua.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.