Përpjekjet për reformimin e sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut kanë nisur në vitet e ’90-ta. Deri më tani kanë rrjedhur shumë projekte, janë mbajtur shumë seminare, janë shpenzuar shumë para, por të gjitha këto kanë dhënë rezultate modeste. Dëshmi për këtë janë edhe projektet: “Bazat e demokracisë”, “Parandalimi i dhunës nëpër shkolla”, “Integrimi ndëretnik”, “Forcimi i bashkëpunimit ndëretnik” etj., efektet e të cilëve shihen edhe në përpjekjet e tkurrjes së gjuhës shqipe.
Koha e humbur në kërkim të modeleve bashkëkohore të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove për jetën dinamike të së sotmes ka krijuar vakume të dukshme. Shumëçka nuk është në përputhshmëri me nevojat e nxënësve të epokës digjitale, kur gjërat vjetrohen sa çel e mbyll sytë. Kjo është e kushtueshme për brezat e mbetur peng të vorbullave të krijuara prej institucioneve të thirrura për të ndryshuar gjendjen ekzistuese në arsim.
Në vijim do të ndalemi shkurt në gjërat që duhet bërë për të marrë të mbarën arsimi, veçmas arsimi në gjuhën shqipe, ndaj të cilit, për shkak të padrejtësive të së kalurës, shteti është dashur të bëjë me kohë diskriminim pozitiv.
Pra, jam i mendimit se duhet të depolitizohet arsimi në të gjitha nivelet, duke e shkëputur atë nga ndikimet e politikës; të ndërpritet diskriminimi financiar i arsimit në gjuhën shqipe; të sigurohen kushte për arsimimin e njëjtë të të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Nuk duhet të ketë më mungesë shkollash, shkolla me hapësira të pamjaftueshme, paralele të mbingarkuara, shkolla ku nxënësit shqiptarë mësojnë në maqedonisht, tekste me të meta të patolerueshme gjuhësore e përmbajtësore, përpilues tekstesh mësimore pa kompetencë profesionale dhe fyerje të nxënësve shqiptarë në baza etnike.
Duhet të miratohen ligje të qëndrueshme, që nuk do të shkaktojnë tensione dhe protesta të nxënësve e mësuesve; të hapen më shumë shkolla profesionale në gjuhën shqipe dhe të përgatitet kuadri i nevojshëm mësimdhënës për to; arsimi të jetë prioritet i shtetit; të rritet buxheti për arsim dhe të jetë i vazhdueshëm, pavarësisht ndërrimit të pushteteve. Drejtuesit e institucioneve arsimore duhet të jenë apolitikë. Ata duhet të jenë profesionistë të dëshmuar të fushës së arsimit, të kenë vizione të qarta, të jenë menaxhues të aftë, ta kenë ndjeshmërinë e duhur për sektorët që drejtojnë dhe për të cilët marrin vendime të rëndësishme. Mësuesi nuk duhet të jetë objekt i papërfillshëm, por subjekt i rëndësishëm i sistemit arsimor; të mos varfërohet e katandiset edhe më tej, të mos mendojë vazhdimisht për ekzistencën fizike; të mos turpërohet me dënime nëpërmjet vlerësimeve të nxënësve pa kritere të qarta suksesi; të mos shndërrohet në punëtor administrativ, që më shumë energji humb për evidentimin e orëve sesa për përgatitjen profesionale; të mos çorientohet me trajnime të pafundme, efektet e të cilave i mbikëqyrin kuadro që nuk kanë asnjë lidhje me lëndët përkatëse; të mos lihet i vetëm në veprimtarinë e tij fisnike, për shkak se numri i profesionistëve të cilët duhet t’i ketë krah të ndihmës – këshilltarët pedagogjikë, pedagogët, sociologët, psikologët etj., është simbolik.
Duhet të bëhet reformimi serioz i sistemit arsimor me strategji të mirëmenduar kombëtare; të sigurohen mjetet financiare për reformimin; të studiohet fillimisht gjendja aktuale e arsimit dhe të hiqen elementet që nuk i përgjigjen kohës; më pas të zgjidhet modeli më i përshtatshëm, risitë e të cilit do të gjejnë zbatim praktik dhe do të japin rezultate në kushtet tona. Arsimtarët duhet të trajnohen nga profesionistë të dëshmuar, të cilët më pas do të kujdesen edhe për zbatimin praktik të risive.
Duhet të fillojë ngritja e shkollave të shekullit XXI; shkollat të pajisen me laboratorë, kabinete teknologjike, mjete bashkëkohore pune dhe me mësimdhënës që kanë: kompetencë profesionale (njohuri të përgjithshme, aftësi për të planifikuar dhe për të kryer me efikasitet detyrat), kompetencë pedagogjike – didaktike e metodike (respektim të procedurave shkollore, përgatitje të njësive mësimore, aftësi për zgjidhjen e problemeve) dhe kompetencë në punë – njohuri praktike, aftësi bashkëpunimi, parime pune, frymë ekipore, ndjenjë përgjegjësie dhe njohje të teknologjisë.
Duhet të stimulohen mësuesit që do ta lidhin punën e shkollës me bizneset dhe prodhimin; që do të nxisin punën kreative dhe ekipore të nxënësve; që do t’i pajisin ata me vetëdije kulturore dhe me kompetenca shoqërore, qytetare, teknologjike e digjitale; që do t’i aftësojnë të komunikojnë në gjuhën amtare dhe në gjuhë të huaja; që do t’i bëjnë të aftë për mësim praktik dhe për përdorimin e teknologjisë në fushat e robotikës, animacionit, kodimit, programimit, energjisë solare etj. Duhet të faktorizohet Byroja për Zhvillimin e Arsimit, si institucion që do t’u prijë reformave. Ajo duhet ta ketë statusin e institutit që krijon politika arsimore në bazë të hulumtimeve empirike. Këshilltarët pedagogjikë duhet të trajtohen si ekspertë dhe jo si punonjës të thjeshtë administrate. Duhet të kompletohet kuadri shqiptar me këshilltarë për të gjitha lëndët mësimore të shkollës fillore dhe të mesme, në pajtim me standardet (1 këshilltar për 120 mësues të një lënde). Duhet të punësohen përkthyes dhe lektorë në njësitë ndërkomunale të Byrosë, të cilat, në disa segmente, duhet të gëzojnë autonomi veprimi.
Ministria e Arsimit duhet t’i përfillë mendimet profesionale të këshilltarëve lidhur me cilësinë e teksteve shkollore. Duhet të përgatiten programe dhe tekste të reja mësimore nga ekipe profesionistësh të lëndëve përkatëse dhe brenda afateve të arsyeshme për projekte me rëndësi të veçantë. Në veçanti meritojnë kujdes programet dhe tekstet për shkollat profesionale, të cilat duhet të jenë në përputhje me tregun vendor e global të punës, të shkarkuara nga informacionet e parëndësishme për nxënësit dhe, kuptohet, programet me përmbajtje identitare dhe kombëtare, të lëndëve: Gjuhë shqipe dhe letërsi, Histori, Kulturë muzikore etj., që duhet të përgatiten nga ekspertët shqiptarë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.