Për kutet e dyfishta të “demokracisë”

Gjatë përvojës sime si mësimdhënës, një dekadë të plotë punova si këshilltar pedagogjik i lëndës Gjuhë shqipe dhe letërsi, në Bironë për Zhvillimin e Arsimit – institucionin që vepron nën kulmin e Ministrisë së Arsimit të RMV. Kjo ma mundësoi njohjen e gjithë dritëhijeve të sistemit arsimor parauniversitar, projektet që synonin reformimin e tij, bashkë me hilet e bëra në kurriz të arsimit shqip. Megjithatë, meqë për shumë gjëra kam shkruar dendur, në kolumnën e sotme do të ndalem te diskriminimi që bën vendi i çudirave ndaj disa universiteteve publike, ku gjithsesi bën pjesë dhe Universiteti i Tetovës.

Për ta kuptuar më mirë këtë të vërtetë të hidhur, mjaftojnë të dhënat që kanë të bëjnë me mënyrën e financimit të universiteteve publike në RMV, të cilat, falë teknologjisë së sotme dixhitale, janë të kapshme për gjithsecilin. Por, për shkak të natyrës së shkrimit, po sjell në vijim të dhënat e një tabele të vetme, që shpërfaq të vërtetën e ndarjes së mjeteve financiare që bën shteti për kokë studenti, nga e cila shihet açik trajtimi i pabarabartë i Universitetit të Tetovës, në raport me universitetet tjera publike.

SASIA E PËRGJITHSHME E PARAVE PËR KOKË STUDENTI
Universiteti Buxheti i përgjithshëm ne Euro Nr. i studentëve

2022 / 2023

Paratë për kokë studenti me investime kapitale në Euro Paratë për kokë studenti pa investime kapitale në Euro
„Shën Kirili dhe Metodi“ 58,109,057 21,448 2,709 2,689
“Klimenti i Ohrit” 9,599,569 3,445 2,763 2,691
“Universiteti i Tetovës” 11,663,967 7,918 1,473 1,452
“Goce Dellçev” 9,494,602 6,715 1,414 1,396
“Nënë Tereza” 5, 520,293 1,484 3,720 1,857

Kjo që shihni në tabelë nuk është padrejtësia e vetme që i bëhet Universitetit të Tetovës, që akoma ka një numër rekord mësimdhënësish dhe asistentësh me kontrata të përkohshme pune, problem ky me të cilin, posa e kuptuat, nuk përballen universitete si “Shën Kirili dhe Metodi“.

Mjerisht kjo nuk është as padrejtësia e fundit, sepse, siç informojnë mediat: Pas marrëveshjes kolektive indivudale ndërmjet Lidhjes së Sindikatave të punonjësve të universitetit Shën Kirili dhe Metodi dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, profesorët, asistentët, administratorët dhe punëtorët teknikë të këtij institucioni, nga shkurti i këtij viti, do të marrin paga më të larta për 22%.

Pas këtij lajmi, universitet tjera publike: “Universiteti i Tetovës”, “Nënë Tereza”, “Goce Dellçev”, “Shën Klimenti i Ohrit” dhe “Shën Apostol Pavle” shprehën revoltën për këtë vendim dhe fajësuan pushtetin për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të dorëzuara me kohë.

Megjithatë, ajo që befason kësaj here nuk është çështja e ngritjes nonsens të pagave vetëm për të punësuarit e një universiteti, po heshtja prej peshku e universiteteve tjera, sa herë që padrejtësitë goditën vetëm “Universitetin e Tetovës”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.