Vepra “Kryengritja e Dervish Carës” e historianit Aleksandar Matkovski është përkthyer dhe botuar dy herë në gjuhën shqipe, po asnjëherë në maqedonisht, në gjuhën në të cilën është shkruar. Kjo dukuri e pazakonshme nxit pyetjen: përse askush nuk denjon ta botojë librin, që hedh dritë mbi njërën prej kryengritjeve me shtrirjen më të gjerë gjeografike, të bërë kundër Osmanëve, në kohën e Tanzimatit? Përgjigja mund të merret me mend, sepse studimin e doktorit të parë të historisë në RMV, nuk dëshiron ta shohë të botuar një klasë e ngarkuar me paragjykime, për shkak se vepra flet për betejën më të madhe antiosmane të shqiptarëve të këtij nënqielli, e cila bie ndesh me të dhënat e disa pseudohistorianëve, sipas të cilëve ne na paskan sjellë në këto hapësira osmanët, nga mesi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX. Kjo e pavërtetë shktron pyetjen: si qe e mundur që një “popull ardhacak” të bënte një kryengritje aq të madhe çlirimtare, që, më 1843, nisi në Dibër dhe mbaroi në Vrajë të Sanxhakut të Nishit, prej ku, më 1877-78, serbët i dëbuan shqiptarët me dhunë dhe terror të paparë. “Argumentet” e “historianëve” në fjalë mbështeten kryesisht në toponimet, që i kemi peshqesh nga Mbreti Simeon i Perandorisë Bullgare (893-927), jo nga fqinjët sllavë.
Tendencat e sipërthëna penguan dhe pengojnë botimin e veprës së Matkovskit në gjuhën në të cilën u shkrua, sepse ndryshe do të avulloheshin sa hap e mbyll sytë profkat për gjoja krimet e kryengritësve shqiptarë mbi të krishterët sllavë. Lidhur me këto të dhëna, A. Matkovski shkroi: “Gjithë këto burime duhet të merren me një rezervë, sepse vijnë nga peshkopët fanatikë – priftërinjtë dhe konsujt e huaj… Nuk duhet harruar se edhe shtypi turk i asaj kohe ishte me orientim antikryengritës dhe antishqiptar, shtyp në të cilin i mbështetnin informatat e tyre konsujt e huaj dhe i cili kishte për qëllim informimin e gënjeshtërt të opinionit turk dhe botëror, duke hiperbolizuar e prezantuar si krime monstruoze keqbërjet e zakonshme në kohë lufte. Është e vërtetë gjithashtu se raportet ishin tendencioze dhe të ekzagjeruara, me qëllim të diskreditimit të kryengritësve. Informacionet tendencioze i përhapte pushteti dhe shtypi turk, peshkopët e ndryshëm, priftërinjtë dhe konsujt, të cilët gjithashtu kishin qëndrim negativ ndaj kryengritësve”.
Për mashtrimet në fjalë, Akademik Matkovski citon dhe disa konsuj evropianë. Sipas tij, konsulli francez thoshte: “Jam i bindur se ka ekzagjerime”. Për konsullin austriak: “Shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, ata e duan vetëm paqen… Edhe përkundër të dhënës se në disa vende ka ngatërresa, nuk duhet besuar lajmeve të ekzagjeruara prej atyre që i ngjyrosin’ ngjarjet, gjoja popullata e krishterë po keqtrajtohet. Kështu, peshkopi grek nga Shkupi, i cili gjendet në Selanik, përhapi në publik lajme të rreme, prandaj u qortua seriozisht nga Ali Riza-pasha, i cili ka ardhur me mision në këto vende dhe i cili i demantoi lajmet e rreme”.
Konsulli anglez, Lejardi (dëshmitari më serioz i ngjarjeve që lidhen me kryengritjen e Dervish Carës), e pranon se: “Si zakonisht, raportet e këtilla ishin të ekzagjeruara dhe ndoshta të pabazuara fare”, sjell reagimin e vetë kryengritësve në këto shpifje: “Prijësit protestonin të fyer duke thënë se nuk kishte asgjë të vërtetë në ato lajme, sepse gjithçka ishte shpifje e armiqve të tyre Turqve, me qëllim të dëmtimit të kauzës së tyre dhe të ndërsimit të urrejtjes nga ana e vendeve evropiane. Ata deklaronin se, me përjashtim të tatimeve të mbledhura që nga koha e vënies nën kontroll të rrethit, për të cilët besonin se janë legjitime, ndaj dhe i mblidhnin prej njerëzve të të gjitha shtresave dhe besimeve, në asnjë mënyrë nuk ishin ndeshur me të krishterët të cilët ishin vëllezërit e tyre dhe të cilët nuk janë shqetësuar kurrë për shkak të besimit të tyre”.
Këto janë vetëm ca të dhëna lidhur me veprën “Kryengritja e Dervish Carës”, të shkruar nga një historian joshqiptar, që guxoi të shpërfaqë me dashuri të vërtetën për një ngjarje të lavdishme historike, në një kohë diabolizimi të skajshëm e të rrezikshëm të imazhit tonë. Vepra është një mësim i mirë për studiuesit e papërgjegjshëm, të cilët duhet ta kuptojnë se kryengritja, që mobilizoi mijëra burra, nuk ka mundur të organizohej nga një etni e pakonsoliduar sa duhet brenda një hapësire gjeografike. Botimi i kësaj vepre në gjuhën shqipe është njëlloj qortimi dashamirës edhe për shkencëtarët tanë, të cilët, në vend të humbjes së energjive me spekulimet e të tjerëve, në vend të bërjes së karrierës me llafe dhe me të vërteta triviale, duhet të gjurmojnë në arkiva të vërtetat historike të shqiptarëve të këtyre trevave, me çka do të mbyllej kapitulli i poshtërimeve, si ato që na bëhen prej vitesh, madje edhe përmes teksteve shkollore…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.