Për dhunë në familje, në Maqedoninë e Veriut vetëm sot u arrestuan gjashtë persona nga raste të ndryshme
Policia e Maqedonisë së Veriut ka arritur të arrestojë gjashtë persona nga shtatë denoncimet për dhunë në familje në 24 orët e fundit. Arrestimet vijnë për lloje të ndryshme të dhunës në familje, transmeton Portalb.mk.
Një 36 vjeçar nga Shkupi u arrestua nën dyshimet se sulmoi prindin 60 vjeçar. Për arsye të njëjtë u arrestua edhe 34 vjeçar nga Velesi, ndërsa një 38 vjeçar u arrestua në Tetovë pasi kishte sulmuar nënën 56 vjeçare.
“Një grua 25-vjeçare nga një fshat i komunës së Karbincit njoftoi se më 31.05.2026, rreth orës 17:30, në shtëpinë familjare ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, Sh.M. (45). Sipas denoncimit, një ditë më parë ai i kishte sulmuar fizikisht edhe fëmijët e tyre të mitur. Ajo dhe fëmijët e mitur iu dorëzuan Qendrës për Punë Sociale në Shtip”, raportoi Policia.
Policia ka arrestuar edhe 26 vjeçarin nga Kumanova nën dyshimet se ka sulmuar vajzën e bashkëshortes jashtëmartesore, u arrestua 53 vjeçari nga Velesi nën dyshimet se ka sulmuar djalin 16 vjeçar, ndërsa në Gostivar u arrestua 42 vjeçari pasi e kishte sulmuar bashkëshorten 38 vjeçare dhe automjetin e saj.
Ndryshe, për shkak të këtyre rasteve, MPB po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, kryesisht në seksionin mbi masat urgjente dhe të përkohshme. Sipas njoftimit të ministri Pançe Toshkovski në fund të prillit, kjo përfshin futjen e një autoriteti të ri policor me të cilin një zyrtar i policisë, bazuar në një vlerësim të rrezikut, do të jetë në gjendje të lëshojë menjëherë një masë urgjente për të mbrojtur viktimën, d.m.th. ta largojë abuzuesin nga shtëpia, ta ndalojë atë të afrohet dhe ta ndalojë atë të kontaktojë me viktimën.
Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.