Për atdhetarin e paepur – hafiz Ali Korçën

Faqen e ndritur të historisë së kombeve e shkruan mendja e shëndoshë dhe shpirti i sakrificës së prometejëve të tyre. Kjo ka ndodhur edhe me historinë tonë, qëkur dihet për ne. Po e kujtojmë sot, ditën e Bajramit të Madh, njërin prej titajve të shqiptarizmës, Hafiz Ali Korçën, personalitetin e shquar të kulturës, arsimit, gjuhës, letërsisë, publicistikës dhe religjionit, kontributi i të cilit është vazhdimësi e asaj që bënë për mbijetesën tonë ndër shekuj të acartë gjithë klerikët atdhetarë, të paktën që nga Pjetër Budi e këndej.

Hafiz Ali Korça (1873-1956) bën pjesë në mesin e shkrimtarëve dhe poetëve të paragjykuar për shkaqe jashtëletrare dhe jashtëkulturore. Sa qe gjallë disa e quajtën kundërshtar të përparimit shoqëror dhe përkrahës të prapambetjes, por disa të tjerë e njohën si model veprimtari që punoi sa mundi për çështjen shqiptare.
Autoriteti që fitoi si atdhetar, dijetar, krijues dhe hafiz i devotshëm ia mundësoi pjesëmarrjen më 1908 në Kongresin e ABC-së shqipe në Manastir, e një vit më vonë (1909) edhe në Kongresin e Dibrës, ku mbajti fjalën kryesore, që lidhej me të ardhmen e kombit. Sipas të dhënave që sjell vëllimi i parë i kompletit të veprave të Hafiz Ali Korçës, të botuar më 2006 në Shkup nga SHB LogosA, në Kongresin e Dibrës ai foli për disa gjëra që mund t’i kushtonin me jetë. Ai u tha delegatëve të Kongresit se shqiptarët duhet të braktisin ushtrinë osmane dhe të mos pranojnë të lënë eshtrat në shkretëtirat afro-aziatike, siç u ndodhi dy taboreve me djem të rinj nga Korça që u dërguan në Jemen, prej nga u kthyen vetëm 16 veta, por edhe ata vdiqën pas pak ditësh.
Ai shtroi i pari edhe kërkesën për lirimin e shqiptarëve nga burgjet osmane, duke kërkuar bërjen e hapave konkretë lidhur me këtë çështje dhe duke i bindur kongresistët se shumë shqiptarë burgosen me shpifjet se gjoja janë reaksionarë.

Hafiz Ali Korça nuk e la pa prekur në këtë kongres edhe nevojën urgjente për hapjen e shkollave shqipe, me arsyetimin se fqinjët tanë nga ana e arsimit kanë arirë shkallën më të lartë, e ne, për fat të keq, kemi mbetur si populli i Afrikës së mesme, sepse në Shqipëri mësohen tërë gjuhët, përveç gjuhës kombëtare shqipe.
Nga vepra e sipërpërmendur kuptojmë edhe disa kërkesa të tjera, që Hafiz Ali Korça i bëri për herë të parë para hundëve të pushtetarëve osmanë. Mes tjerash ai kërkoi që: Shqiptarët ta kryejnë shërbimin ushtarak në viset shqiptare; të hapen shkollat shqip; të bëhet riorganizimi i sistemit arsimor, modernizimi i shkollave dhe shkallëzimi i tyre; të hapet një shkollë pedagogjike, që i përgjigjet shkollës normale, ku do të përgatiteshin mësimdhënësit për nevojat e shkollave me mësim në gjuhën shqipe, që duhej të hapeshin në të gjitha vendbanimet shqiptare; të hapen shkollat e mesme profesionale apo të mjeshtërive të ndryshme, për plotësimin e nevojave të ekonomisë së vendit; të themelohen fakultetet e shkencave që në trojet shqiptare të plotësonin nevojat e kuadrove për sistemin e zgjeruar shkollor dhe për nevojat e ekonomisë dhe cultures; të reformohen medresetë me qëllim që nxënësit të marrin dituri edhe për shkencat ekzakte: kimi, fizikë, algjebër, astronomi, gjuhë të huaja…

Kundërshtimi i padrejtësive dhe kubarive osmane, përpjekja e Ali Korçës për hapjen e shkollave shqipe, përkrahja e alfabetit latin të shqipes, përgatitja e teksteve shkollore në gjuhën shqipe (origjinale dhe të përkthyera) dhe shumë bëma të tjera të guximshme, e bënë atë njërin ndër personalitetet më të përndjekur nga regjimi xhonturk, që e quajti llatinxi dhe e shpalli armik të shtetit.

Ky mund të jetë në vija të trasha portreti i Hafiz Ali Korçës – titanit që luftoi tërë jetën për Atme e Fe, siç do të thoshte bashkëkombësi dhe miku i tij At Gjergj Fishta; të burgosurit politik nga qeveria osmane për shkak të librave të Naim Frashërit: “Istori e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja”, që u gjetën në çantë gjatë një udhëtimi; përkthyesit të veprave të Omar Khajamit dhe Saadiut: “Rubairat” dhe “Gylistani dhe Bostani”; autorit të shumë librave letrarë e fetarë; prijësit të çetës së atdhetarëve korçarë, që në vitin 1902 qenë të gatshëm të vdesin për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e huaj; përkrahësit të bashkimit kombëtar; njërit ndër mësuesit e Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës dhe bashkëpunëtorit të ngushtë i Pandeli Sotirit; njërit ndër themeluesit të Normales së Elbasanit; të dënuarit me vdekje nga Talat Pasha, që nuk e detyroi dot të shkruajë një artikull në gjuhën shqipe, po me alfabetin arab; të perjashtuarit nga Këshilli i Lartë i Sheriatit në vitin 1924; kundërshtarit të rreptë të komunizmit;largpamësit që në vitin 1925 botoi pamfletin “Bolshevizma dhe çkatërrimi i njerëzimit“; njohësit të shumë gjuhëve të Lindjes e të Perëndimit; njeriut të urtë që e kuptoi se prapambetja e shqiptarëve qe shkaku kryesor që, në vitet 1878-1881, fqinjët e qethën vendin tonë në të gjitha anët; hoxhës që brengosej më shumë për të ardhmen e atdheut të tij sesa për fundin e perandorisë së tjetrit; mikut të Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Kristo Luarasit, Pandeli Sotirit, Mati Logorecit, Hilë Mosit, Sali Nivicës, Dervish Himës etj.; imamit të shpallur armik, shtëpinë e të cilit e shkatërruan shpirtrobërit duke e gjuajtur me gurë 7 muaj rresht; mendjendriturit që tha në kohën e duhur se: Njeriu vetëm me gjuhë të tij mund të vejë përpara. Me gjuhë të huaja kjo s’mund të bëhet kurrë. Po s’mësuam mjeshtërira, po s’ditëm si bëhet baruti, si bëhet pushka, si bëhet topi m’i qëruar e m’i shpejtë që ta hedhin plumbin e gjylen më larg se prej armëve të armiqve, si bëhet anija e zjarrtë e luftës, me se do të mbrojmë mëmëdhenë?; poetit të përbuzur nga tjetri dhe nga të vetit, i cili me 4 vargjet e mëposhtme shpalon faqen e errët të mendësisë së një kohe, që mund të jetë dhe jona:

Për Shqipërinë u përpoqa
rezikova jetën t’ime
Nuk rëfehet se sa hoqa
se shteti m’i njihte krime.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.