Pendarovski: Synohet të reduktohet 82% e emetimeve neto të gazeve serrë

Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshime klimatike – COP28, që u mbajt në Dubai, theksoi se RMV synon të reduktojë 82% të emetimeve neto të gazeve serrë deri në vitin 2030, shkruan Portalb.mk.

“E vendosur në një nga rajonet klimatike më të cenueshme në botë, Mesdheun, Maqedonia e Veriut është një vend i vogël me ambicie të mëdha klimatike. Ne synojmë të reduktojmë 82% të emetimeve neto të gazeve serrë deri në vitin 2030, në krahasim me nivelet e vitit 1990. Kjo nuk është një detyrë e lehtë. Termocentralet me qymyr janë burimi ynë kryesor i energjisë elektrike, por edhe ndotësit më të mëdhenj që ndikojnë si në klimën ashtu edhe në shëndetin” tha ai në Segmentin e nivelit të lartë të Samitit Botëror për Veprime Klimatike.

Pendarovski shtoi se dilema kryesore është se si të hiqet gradualisht qymyri pa rrezikuar sigurinë energjetike të shtetit dhe jetesën e komuniteteve, por shprehi bindjen e tij se pavarësisht krizës energjetike, RMV është e vendosur ta arrijë këtë qëllim deri në fund të dekadës.

“Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë pilot evropian i përzgjedhur për programin e përshpejtuar të tranzicionit të qymyrit nga Fondi i Investimeve Klimatike. Këtu në COP28, së bashku me BERZH-in, ne do të fillojmë Platformën e Investimeve për Tranzicion të Drejtë të Energjisë, e cila do të na ndihmojë të mobilizojmë fondet e nevojshme për t’u zhvendosur te burimet e rinovueshme, për të përshpejtuar investimet në rrjet dhe për të krijuar vende pune të gjelbërta me cilësi të lartë për komunitetet minerare”, tha Pendarovski.

cop28

Ai ftoi të gjithë partnerët dhe donatorët e mundshëm që t’i bashkohen kësaj platforme dhe të dëshmojnë se një tranzicion i drejtë energjetik nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i mundshëm dhe i qasshëm.

“Duke vepruar kështu, ne do të respektojmë Angazhimin Global të BE-së për Energjinë e Rinovueshme dhe Efiçencën e Energjisë”, shtoi ai.

Pendarovski në fjalimin e tij theksoi edhe se përballja me ndryshimet klimatike mund të jetë një mundësi për t’i zhvilluar sistemet shëndetësore ashtu që ato të jenë më të qëndrueshme në raste krize dhe fatkeqësie. Ai tha se në fund të fundit, duke u kujdesur për planetin dhe njerëzit, ekosistemet dhe ekonominë, ne do të reduktojmë pasigurinë e energjisë dhe do të kontribuojmë në paqen dhe sigurinë shumë të nevojshme.