Pendarovski: Rruga jonë drejt Evropës është e qartë, kërkesa të reja nga Bullgaria nuk lejohen

Rruga jonë drejt Evropës është e qartë. Bëhet fjalë për kornizën e negociatave që kemi miratuar vitin e kaluar. Në këtë kuptim, kërkesat e reja nga Bullgaria nuk lejohen, tha sot presidenti Stevo Pendarovski, i pyetur se si i komenton deklaratat e presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, lidhur me ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Pendarovski tha se gjatë vizitës së tij në Podgoricë kanë pasur një takim të shkurtër me Radevin, në të cilin nuk është biseduar për këtë temë, por në lidhje me deklaratën e tij ka theksuar se bëhet fjalë për “riciklimin e historisë së vjetër bullgare”.

“Pikërisht sot BE-ja feston 30 vjet nga miratimi i kritereve të Kopenhagës, të cilat janë grupi kryesor i kritereve për hyrjen në BE.

Pra, mendoj se Bullgaria është shteti i fundit anëtar i BE-së që mund të na japë leksione se kush janë dhe çfarë janë, dhe çfarë përfaqësojnë kriteret e Kopenhagës, duke pasur parasysh se Bullgaria është një vend anëtar i Këshillit të Evropës që ka më pak respekt për vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ne i njohim shumë mirë kriteret e Kopenhagës dhe konsideroj se Maqedonia është kandidati më i përgatitur në historinë e BE-së, e cila aktualisht është në fillim të negociatave”, shtoi Pendarovski para fillimit të konferencës “Kërste Misirkovi dhe gjuha maqedonase – burim i hulumtimeve shkencore” në përgjigje të një pyetjeje.

Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev ka deklaruar se “Shkupi duhet ta mësojë leksionin” dhe se Maqedonia e Veriut po kthehet në të njëjtën rrugë përpara kornizës negociuese – duke lobuar në kryeqytetet dhe institucionet evropiane për të mbuluar shkeljet e të drejtave të njeriut, mungesën e reformave dhe gatishmërinë për fillimin e negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Aktualisht, lobimi është intensifikuar sërish, por Bullgaria do të vazhdojë të punojë me të gjitha institucionet evropiane, me partnerët tanë evropianë, në mënyrë që zgjidhjet për Republikën e Maqedonisë së Veriut të mos bazohen në lobim, gjë që fsheh mungesën e reformave, e cila fsheh shkeljen e thellë të të drejtave të njeriut”, tha Radev.

Deklaratat e presidentit bullgar, kanë ardhur pas sulm ndaj bashkëkryetarit të shoqatës së bullgarëve në Maqedoni “Shemeto”, Bekir Kadrieski, banor i fshatit Llabunishtë,më 13 qershor.

Në lidhje me sulmin  në fjalë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, e cila bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga kualifikimet e parakohshme deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Në janar të këtij viti pati sulm të ngjashëm kur u sulmua shtetasi i RMV-së në Ohër, Hristijan Pendikov. Ai poashtu ishte shtetas i Maqedonisë, i cili deklarohet si bullgar dhe është sekretar i klubit bullgar “Car Boris Treti” në Ohër.

Lidhur me incidentin MPJ bullgare dërgoi notë proteste përmes ambasadores së Maqedonisë së Veriut, Agnesa Rusi Popovska, ndërsa më pas u mbajtën protesta para ndërtesës së Komisionit Evropian (KE) në Sofje për të mbrojtur të drejtat e bullgarëve në vend. Demonstruesit, të mbështetur nga partitë nacionaliste Prerodba dhe VMRO, kërkuan që BE të ndalojë menjëherë negociatat me Shkupin.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.