Pendarovski: Po president shqiptar në vend, por duhet mbështetje nga të gjitha grupet etnike

Një shqiptar mund të jetë president i vendit, por duhet të ketë edhe mbështetjen e të gjitha etnive, është përgjigjur presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, në një intervistë për “Euronews Albania” i pyetur për mundësinë që një shqiptar të marrë postin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Është e mundur që një shqiptar etnik të jetë president i vendit, pse jo, por ai do të duhet të marrë mbështetjen e maqedonasve etnik dhe të komuniteteve të tjera etnike, jo vetëm të shqiptarëve etnikë. Thjesht, është matematikë me zgjedhje. Ashtu siç nuk mund të bëhesha president pa votat e shqiptarëve, ashtu edhe nesër, me sa duket, një shqiptar etnik nuk mund të bëhet president i Maqedonisë nëse nuk merr vota edhe nga maqedonasit etnik. Kur them se nuk jam zgjedhur vetëm nga votat e shqiptarëve, por edhe nga votat e të tjerëve, para së gjithash të maqedonasve, e njëjta gjë është në drejtim të kundërt”, ka thënë Pendarovski në intervistë.

Për Pendarovskin nuk diskutohet as emri dhe as përkatësia etnike e personit që mban postin presidencial në vend, por thotë se në këtë pozitë mund të qëndrojë vetëm ai që i merr votat dhe mbështetjen e të gjitha bashkësive etnike, sepse në atë mënyrë ai do të mund ta quante veten president i të gjithë qytetarëve.

Kujtojmë se për herë të parë, në garën për president në zgjedhjet e 22 marsit 2009 në Maqedoni hynë edhe tre shqiptarë, Imer Selmani i DR-së, Agron Buxhaku i BDI-së dhe Mirushe Hoxha e PDSH-së.

Ndërkohë, në zgjedhjet presidenciale të viti 2019, kandidat shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut  ishte Blerim Reka, i cili ishte i pavarur, po u mbështet edhe nga blloku opozitar politik shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA. Ndërkohë, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kandida të përbashkët kishin Stevo Pendarovskin.