Pendarovski për deklaratën e Vuçiqit: Kurti nuk përzihet në zgjedhjet në RMV, mund t’i japë mbështetje politike kujt të dojë

Ndryshe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski nuk mendon se kryeministri Albin Kurti, po përzihet në procesin zgjedhor të Maqedonisë së Veriut. Ai madje tha se ai mund t’i japë mbështetje politike kujt të dojë në Maqedoni dhe se kjo nuk është një praktikë e re, por ka ndodhur gjithmonë mes partive me pikëpamje të njëjta, transmeton Portalb.mk.

“Unë e kam thënë edhe në bisedën time me Kurtin kur isha jo shumë kohë më parë në Prishtinë. Pra, mbështetja e tij ndaj njerëzve që janë shtetas maqedonas këtu nuk është kontestuese. Këtu nuk bëhet fjalë për të jashtëm që do të marrin pjesë në zgjedhjet tona, pasi kjo nuk lejohet. Të gjithë ata njerëz që përmenden në media si njerëz të tyre, janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje. Ndërsa mbështetje politike, zotëri Kurti mund t’i japë kujt të dojë, pasi kjo bëhet prej vitesh. Partia e socialistëve evropianë, këtyre partive që i mbështesin, të jashtëm, dhe Partia nacionale evropiane për partitë e majta në Maqedoni”, tha Pendarovski gjatë pyetjeve të gazetarëve.

Disa ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Albin Kurti dëshiron të sundojë edhe në Maqedoninë e Veriut. Në një deklaratë për mediat serbe nga Nju Jorku, Vuçiq ka thënë se qëllimi i kryeministrit të Kosovës është që ta mposht BDI-në dhe pas zgjedhjeve parlamentare të jetë pjesë e qeverisë në vend.

“Ai dëshiron të sundojë edhe Maqedoninë e Veriut. Po, seriozisht, ai dëshiron të mposhtë Ali Ahmetin dhe BDI-në për të sunduar në Maqedoni pas zgjedhjeve të majit”, ka thënë Vuçiq.

Çështja për pjesëmarrjen e mundshme të partisë së Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni u ngrit në fund të dhjetorit, pasi tri partitë opozitare të shqiptarëve të bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim njoftuan se në listat e tyre do të ketë emra nga Vetëvendosja e Albin Kurtit. 

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, në hapjen e zyrave të përbashkëta të koalicionit Lidhja Evropian për Ndryshim, tha se programi zgjedhor po punohet së bashku, zyrat janë të përbashkëta, fushata do të jetë e përbashkët dhe do të ketë përfaqësues të Vetëvendosjes në listat zgjedhore të këtij koalicioni.

“Nga sot, Lidhja Evropian për Ndryshim përbëhet nga katër parti politike. Kjo do të thotë se në këto katër është edhe Vetëvendosje, e cila do të jenë pjesë e listave të deputetëve, pra do të jetë një anëtar, përfaqësues i Vetëvendosjes”, tha Mexhiti.

Kurti, nga ana tjetër, gjatë vizitës së tij paraprake në Shkup, nuk ka përmendur mbështetjen për zgjedhjet e ardhshme për partitë opozitare të shqiptarëve. Sipas Kodit tonë Zgjedhor, pjesëmarrja e partive të huaja është e ndaluar, megjithëse përfaqësuesit e saj, parë hipotetikisht, nëse kanë shtetësi maqedonase, përkatësisht dyshtetësi dhe i plotësojnë kushtet e parapara me Kodin Zgjedhor mund të jenë kandidatë për deputetë.