Pendarovski: Këshilli i Sigurimit do të mblidhet për shkak të situatës së sigurisë në rajon dhe në Lindjen e Mesme

Presidenti Stevo Pendarovski, në intervistën e djeshme për “Click Plus” në TV 21, ka bërë të ditur se në shtatë deri në dhjetë ditët e ardhshme do të mblidhet Këshilli i Sigurimit, në agjendë të të cilit do të jetë situata në veri të Kosovës, lufta në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, konflikti Hamas-Izrael, transmeton Portalb.mk.

“Disa thonë se është larg nesh, por fatkeqësisht ne kemi, që nga lufta siriane, njerëz që janë mercenarë dhe luftojnë në njërën anë apo tjetrën, por ata janë qytetarët tanë dhe ne duhet të shohim se çfarë do të ndodhë me ta, kur nesër, pasnesër do të kthehen në vend. Sa mbulohen nga shërbimet tona, le të shohim informacionin nga partnerët tanë”, tha presidenti në intervistë.

Ai shtoi se rrethana jonë e favorshme është se jemi anëtarë të NATO-s dhe nga atje marrim rregullisht informime dhe e dimë se si do të zhvillohet situata në lidhje me konfliktin Hamas-Izrael, edhe pse nuk është e lehtë të parashikohet në fazën e parë. “Megjithatë, Këshilli i Sigurimit sigurisht që do të mblidhet, jo vetëm për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, por edhe për zhvillimet në veri të Kosovës dhe luftën në Ukrainë”, tha presidenti.

Në këtë kontekst, presidenti bëri të ditur se vendi ynë do të shtojë kontigjentin e tij në Kosovë në javët në vijim, me kërkesë të NATO-s.

“Deri më tani në Kosovë ka pasur rreth 4500 ushtarë, duhet të jenë rreth 5000 dhe secili shtet po e forcon kontingjentin e tij në kuadër të kapaciteteve të tij. Nuk është sekret. “Aty kemi 64 ushtarë tani, duam t’i marrim edhe 25, 26 në një nga sektorët, ata i quajnë zona të përgjegjësisë së Kosovës”, tha presidenti Pendarovski.

I pyetur se cila është arsyeja e besimit të lartë të Ushtrisë në opinion, presidenti Pendarovski deklaroi se Ushtria për shumë vite gëzon respekt të lartë në mesin e qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, dhe kjo ndoshta për shkak të imazhit që Ushtria e Maqedonisë ka ndertuar nga viti 1992 e deri me sot. Ai tregoi se ushtria maqedonase nuk fshihet në kazermë, por përkundrazi, në çdo situatë dhe fatkeqësi është gjithmonë me popullin dhe kështu duhet të mbetet.

Presidenti Stevo Pendarovski, i pyetur për rritjen e pagave prej 78 për qind të zyrtarëve, theksoi se është zyrtari i parë shtetëror që ka kërkuar korrigjimin e rritjes dhe uljes së koeficientit.

Presidenti Pendarovski theksoi se Qeveria urgjentisht duhet të propozojë zgjidhje ligjore që do të zvogëlojë pagat e zyrtarëve. Gjithashtu, ai theksoi se është e nevojshme që opozita të mbështesë një zgjidhje për uljen e pagave zyrtare.

Pagat e funskionarëve llogariten duke shumëzuar bazën me një koeficient të caktuar në varësi të pozicionit. Ligji për pagat e zyrtarëve parasheh që bazë të jetë paga mesatare e vitit paraprak, por për vite me radhë është ngrirë në nivel më të ulët. Më 21 mars, gjykata vendosi të heqë ngrirjen, pas së cilës pagat do të rriten ndjeshëm.

Paga më të larta nga funksionarët kanë presidenti i shtetit, Kuvendit dhe Qeverisë. Ligji parashikon që ata të marrin pagë në masën e pagës mesatare të vitit të kaluar shumëzuar me koeficientin 4.5. Paga mesatare bruto e paguar në vitin 2022 është rreth 47 mijë denarë. Kësaj i shtohet një rritje prej gjysmë për qind për çdo vit stazh pune.

Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë.

Ndërkohë kujtojmë se për herë të fundit, Këshilli i Sigurimit është mbledhur më 23 janar 2023 ku në fokus ishte siguria në vend dhe rajonin euroatlantik.