Debat: Telefoni mund të na përgjojë nëse nuk kemi kujdes për higjienën kibernetike

A na përgjon telefoni, ishte pyetja që tërhoqi shumë vëmendje dhe diskutim nga dhjetëra të rinj në eventin e parë “Cyber’ Shake”të mbrëmjes së sotme  që u zhvillua në mjediset e Netaville në Shkup. Përgjigja e pyetjes për “përgjimin” është “PO”, ndërsa pas kësaj vijuan shumë “POR” në përgjigjet e folësve: Bajram Ali, këshilltar për TI i Azir Aliut, ministër i shoqërisë informatike dhe administratës, Anastas Mishev, profesor në FSHIIK pranë UKM-së, Elinda Stojanova Millosheska, udhëheqëse për digjitalizimin nga A1 Maqedoni dhe Risto Saveski, kryetar i Forumit Arsimor Rinor (FAR), raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si funksionojnë asistentët zanorë si “Siri” dhe “Google Assistant” dhe në çfarë momenti fillojnë ta dëgjojnë dhe ta njohin zërin tonë në telefona, Bajram Ali tha se të gjithë kemi smart telefona dhe gjatë instalimit të një softueri apo shërbimi të caktuar ne i pranojmë kushtet për përdorimin e tyre. Për t’i aktivizuar ato e domosdoshme është që të ekzistojë “përgjim pasiv”, pra që asistentët zanorë në telefon të mund ta njohin zërin tonë.

Pra, disa mostra të zërit tonë merren në fillim kur e instalojmë asistentin zanor “Siri” dhe “Google Assistant” dhe kur pranojmë shërbimin e tyre. Në “Google Assistant” çdo ditë mblidhen 20 paterne të zërit tonë dhe përpiqen ta përshtatin atë në mënyrë që më pas t’i dërgojmë një komandë zanore këtij asistenti. Megjithatë, kompanitë Apple dhe Google janë të detyruara që zërat që i mbledhin në funksion të punës së asistentëve zanorë t’i ruajnë në telefonat tanë, sqaroi Bajram Ali.

Ai shtoi se kjo mënyrë e funksionimit definohet si përgjim pasiv, ekziston mundësi teorike që të keqpërdoret, por sot ka shumë më pak gjasa që Apple dhe Google ta bëjnë një gjë të tillë, për dallim nga periudha para vitit 2018 dhe viti 2019 kur u zhvillua një diskutim i madh për këtë çështje.  Ali thotë se pas diskutimeve të tilla Apple dhe Google u detyruan t’i ndryshonin algoritmet e tyre nga përgjimi aktiv në pasiv në mënyrë që të mund të funksiononin asistentët zanorë. Sot ekziston mundësia për ta çaktivizuar plotësisht përgjimin pasiv nga “Siri”.

Pyetjes së njëjtë, për atë se çfarë të dhënash mbledhin nga ne gjigantët teknologjikë , ju përgjigj edhe profesori në FSHIIK, Anastas Mishev. Ai theksoi se hardveri duhet të jetë aktiv që të mund të përdoret opsioni i asistentit zanor në telefon. Megjithatë, nuk janë vërtetuar raste të përgjimeve në këtë mënyrë, pra keqpërdorimit të mikrofonit nga kompanitë teknologjike për përgjim aktiv.

Profesori në FSHIIK, Anastas Mishev; Foto: Meta.mk
Profesori në FSHIIK, Anastas Mishev; Foto: Meta.mk

Kompanitë e mëdha, si Apple apo Amazon, pretendojnë se të dhënat që vijnë tek ato nga përdorimi i asistentëve zanorë nga ana jonë nuk janë të lidhura me identitetin tonë digjital, por se i marrin ato në bazat e të dhënave përmes një numri identifikimi të paidentifikuar. Megjithatë, shton profesori Anastas Mishev, kjo nuk vlen për rastet kur në telefonin tonë është instaluar softuer malicioz nga një palë e tretë.

“Edukimi është një nga faktorët kyç”, thekson profesori Mishev lidhur me sqarimin e kësaj çështjeje dhe shton se: “Siguria kibernetike duhet të jetë temë që në arsimin fillor dhe atë të mesëm”.

Mos klikoni “Agree” pa i lexuar më parë  kushtet e përdorimit

Elinda Stojanova Millosheska, udhëheqëse për digjitalizimin nga A1 Maqedonia, në pyetjen “Nëse dhe çfarë lloj të dhënash zakonisht mbledh smart telefoni për ty dhe si përdoren këto të dhëna nga kompanitë teknologjike?”, ajo u përgjigj se të dhënat tona personale nuk janë më tonat vetëm sepse neve na konvenon ashtu, por pyetja është se deri në çfarë shkalle na konvenon kjo.

Pas incidentit të Apple në vitin 2019 tek disa njerëz u ngjall panik se telefonat po i përgjojnë njerëzit, ndërsa sot në rrjetet sociale po përhapet frikë se telefoni na i lexon mendimet. Ajo sqaron se një gjë e tillë nuk është e mundur.

“Vetë ne si përdorues e përcaktojmë shkallën deri në të cilën i përdorim shërbimet në telefonat tanë, si për shembull nga Google Maps apo përdorim pajisje smart”, thotë Elinda Stojanova Millosheska.

Profesori Anastas Mishev nga FSHIIK shpjegon se lloji i të dhënave që i mbledhin kompanitë teknologjike varet nga ne. Pyetja është: Për çfarë jemi pajtuar kur kemi klikuar butonin ” Agree ” përpara se të përdorim një shërbim të caktuar. Rrallë herë i lexojmë ose i kuptojmë kushtet e përdorimit.

“Në të shumtën e rasteve ne jemi përgjegjës për të dhënat tona dhe ne kemi dhënë pëlqim për përdorimin e të dhënave tona. Këtë e bëjmë për të pasur rehati dhe akses më të madh për të fituar më shumë rezultate gjatë kërkimit”, tha Mishev.

Ai shpjegoi se nëse duam të përdorim Google Maps për ta gjetur farmacinë më të afërt kur kemi një dhimbje dhëmbi, atëherë këtë e bëjmë duke e ndarë vendndodhjen tonë me Google. Ne kemi dhënë pëlqim për këtë.

Megjithatë, profesori Mishev thotë se problemi nuk është se çfarë dinë kompanitë teknologjike për ne, por nëse të dhënat e mbledhura prej tyre mund të jenë objekt i keqpërdorimit përtej pëlqimit tonë që ne ua kemi dhënë më parë.

Risto Saveski, kryetar i Forumit Arsimor Rinor (FAR) foli për momentin etik në mbledhjen e të dhënave nga kompanitë teknologjike. Kompanitë teknologjike i marrin të dhënat të cilat ne kemi rënë dakord t’ua japim dhe profilizojnë një person virtual tonin. Pastaj ata i strukturojnë të dhënat e mbledhura dhe i përdorin ato për të na ofruar reklama në mënyrë sa më efektive. Kompanitë i përdorin këto të dhëna për qëllime tregtare dhe politike.

Kryetari i FAR, Risto Saveski; Foto: Meta.mk
Kryetari i FAR, Risto Saveski; Foto: Meta.mk

Pjesa problematike vjen tek algoritmet që i grupojnë të dhënat, gjegjësisht kur të dhënat e mbledhura nga ne si përdorues keqpërdoren për të na manipuluar për të blerë një produkt të caktuar ose për të ndjekur një kauzë të caktuar.

Për shembull, nëse unë jam më i djathtë, thekson Saveski, algoritmet tentojnë të më bombardojnë me përmbajtje të tilla politike. Këtu ndodh keqpërdorimi – me krijimin e një flluske informacioni, ku unë nuk kam më kontakt me gjëra që janë ndryshe nga ato tek të cilat unë besoj apo blej.

“Për shembull, nëse mua më pëlqen një pije e caktuar, nga algoritmi nuk do të pranoj kurrë një reklamë për një tjetër. Unë lëviz në rrethin e opinioneve që mi servon algoritmi dhe nuk mund t’i dëgjoj njerëzit që mendojnë ndryshe nga unë. Këtu qëndron problemi”, sqaron Risto Saveski nga FAR në përgjigje të pyetjes nëse të dhënat nga “përgjimi” përdoren edhe për reklama të personalizuara dhe nëse kompanitë mund t’i profilizojnë përdoruesit pikërisht në bazë të aktivitetit të tyre në telefon.

Që të mbrohemi nga keqpërdorimet e algoritmeve duhet të kemi kujdes se sa kohë kalojmë në rrjetet sociale në jetën e përditshme. Pastaj, t’i çaktivizojmë opsionet që duam të pranojmë reklama të personalizuara për të mos hyrë në flluskën e fryrë të informacionit, t’i verifikojmë informacionet, t’i kontrollojmë të njëjtat lajme nga burime të shumta, të gjykojmë vetë në mënyrë të paanshme se cila është e vërteta për ngjarjen që po e ndjekim, thotë Saveski.

Të rinjtë parashtronin pyetje, ndërsa bashkëbiseduesit përgjigjeshin për temat me interes; Foto: Meta.mk
Të rinjtë parashtronin pyetje, ndërsa bashkëbiseduesit përgjigjeshin për temat me interes; Foto: Meta.mk

E pyetur nëse kompanitë i profilizojnë përdoruesit në bazë të aktivitetit të tyre në telefon, Stojanova Millosheska nga A1 Maqedonia është e prerë:

“Kompanitë e mëdha mund t’ju targetojnë për atë që ju nevojitet, varësisht nga ajo se sa do i lejoni ju.”

Kompanitë teknologjike dhe algoritmet që ato i përdorin mund të ndërtojnë një profil të një personi jo vetëm përmes telefonit ose përmes një rrjeti social, por edhe përmes vendndodhjeve ku kemi qenë përmes Google Maps, fotografive që i dërgojmë dhe i ngarkojmë. Algoritmi disponon me shumë të dhëna, të cilat nuk janë më të kufizuara gjeografikisht, përfundoi ajo.

Pagesa për një shërbim ju liron nga reklamat, por jo edhe nga mbledhja e të dhënave

Kryetari i FAR, Risto Saveski, thotë se përdorimi pa pagesë i platformave online apo shërbimeve të caktuara është diçka që duhet ta demistifikojmë. Ne kemi dy opsione që na ofrohen nga kompanitë – ose të paguajmë paraprakisht për një shërbim të caktuar për ta evituar targetimin me reklama, ose ta përdorim shërbimin falas, por të jemi subjekt i bombardimeve me reklama.

Profesori në FSHIIK, Anastas Mishev sqaron se “nuk ka asgjë falas”, por që duhet të kemi kujdes dhe të kemi të drejtën e zgjedhjes. Kushdo që reklamon se diçka është falas, duhet ta dimë se dikush duhet të paguajë për atë. Ai thotë se studentët e fakultetit të tij krijojnë softuer dhe në të është investuar vlerë.

Sipas tij, momenti kyç është ekzistimi i besimit dhe krijimi i një kornize ligjore dhe zbatimi i saj. Së pari duhet të kemi besim tek ai me të cilin i ndajmë të dhënat, thotë profesor Mishev. Por jo më pak e rëndësishme është që edhe keqpërdorimi më i vogël i të dhënave të dënohet sa më ashpër. Ai tregoi për keqpërdorimin me të dhënat personale nga kompania Meta, për çka në rastin e fundit u gjobit me 1.2 miliardë euro.

Në fund, Bajram Ali, këshilltar për TI nga MSHIA, në këtë aktivitet foli për rëndësinë e trajnimeve të vazhdueshme jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të gjitha kategoritë e moshave në lidhje me transformimin digjital, që qytetarët të mund të përdorin anën pozitive të tij, por edhe të jenë të informuar për kushtet dhe mënyrën e përdorimit nga aspekti i sigurisë kibernetike.

Në fund secili nga bashkëbiseduesit përcolli një mesazh të shkurtër për të rinjtë lidhur me nevojën e mirëmbajtjes së higjienës kibernetike.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Kështu, profesori Anastas Mishev, si me shaka i pyeti të pranishmit se çfarë kanë të përbashkët fjalëkalimet tuaja dhe veshjet e brendshme? Përgjigja është: mbajini të fshehura – mos i shfaqni publikisht, mos i shpërndani dhe ndërrojini shpesh. Këto janë rekomandimet e mia për të rinjtë, tha ai.

Elinda Stojanova Millosheska nga A1 Maqedonia u tha të rinjve që të mos e publikojnë atë që nuk duan të publikohet dhe të mos jenë aq të parashikueshëm nëse nuk duan të jenë të parashikueshëm.

Risto Saveski nga FAR u tha të rinjve se interneti dhe rrjetet sociale janë bërë për të pasur një aplikim pozitiv, prandaj ai thotë se duhet të kemi kujdes se çfarë “cookie”-s u lëmë kompanive.

Bajram Ali në mesazhin e tij iu drejtua drejtpërdrejt studentëve të rinj dhe tha se pret që në të ardhmen të jenë pikërisht ata që do të inovojnë një mënyrë tjetër autentikimi gjatë  përvojës tonë online, që të mos kemi nevojë të shkruajmë fjalëkalime për t’u kyçur në platformat dhe aplikacionet në mënyrë që askush të mos mund t’i keqpërdorë ato.

Eventi i sontëm “Cyber’ Shake” u organizua nga Fondacioni Metamorfozis për Internet dhe Shoqëri me mbështetjen e Aktivitetit të USAID-it për të rinjtë që krijojnë mundësi në mënyrë aktive, i zbatuar nga organizata IESC në partneritet me Forumin Arsimor Rinor – FAR dhe CEED Hub Shkup.

Regjistrimin e eventit „Cyber Shake“ mund ta ndiqni në këtë link: