Pendarovski në Bruksel u takua me kryeministrin dhe kryeparlamentaren belge, në fokus integrimi evropian i vendit

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Bruksel, në kuadër të vizitës së punës në Belgjikë, pati takim me kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Alexander De Croo, si dhe me kryeparlamentaren Eliane Tillieux. Në takimin me presidentin, u konstatua miqësia dhe partneriteti mes dy vendeve, ndërsa në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet bilaterale, integrimet evropiane të Maqedonisë, bashkëpunimi ekonomik, si dhe trendet politike dhe ekonomike në Evropë, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski përshëndeti trendin pozitiv të forcimit të dialogut politik ndërmjet dy vendeve dhe vlerësoi se shkëmbimet e shpeshta të vizitave të nivelit të lartë do të thellojnë edhe më shumë besimin politik dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik. Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe rritjen e investimeve belge në Maqedoninë e Veriut.

Presidenti i shprehu mirënjohje kryeministrit belg për mbështetjen e qëndrueshme dhe të vazhdueshme të integrimeve evropiane të Maqedonisë dhe politikës së zgjerimit të BE-së, si proces me rëndësi strategjike për rajonin. Në këtë kontekst, u shkëmbyen mendime dhe pikëpamje për presidencën e ardhshme belge të Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2024.

Në takim u diskutua edhe për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit evropian, ku u theksua rëndësia e partneritetit të NATO-s në përballjen e sfidave gjeopolitike të imponuara nga lufta në Ukrainë.

Pendarovski në takimin me kryetaren e Parlamentit belg, Eliane Tilleux, poashtu u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, të cilat që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike janë vendosur fort me dinamikë pozitive zhvillimore, si dhe u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e potencialit për pasurimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Në takim u shkëmbyen mendime për perspektivat e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në periudhën e ardhshme, ku presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e përkrahjes belge për perspektivën evropiane të rajonit, e cila është në interes të stabilitetit të Bashkimit Evropian.