Në ditën e 25-të të protestës, qytetarët paralajmërojnë përshkallëzim deri në bllokimin e institucioneve, reagoi presidenti Begaj
Grumbullimi i qytetarëve ka nisur si çdo ditë në sheshin Skënderbej, e më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, raporton TopChannel. Aty kanë nisur thirrjet dhe fjalimet ku mes të tjerash kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe qeveri teknike jo më pak se 12 muaj.
Protestuesit thanë se përshkallëzimi do shkojë deri në bllokimin e institucioneve.
Ndërkohë një ditë më parë kanë njoftuar se në 4 Korrik, diaspora do të bashkohet në protestë.
Pritet që pas përfundimit të fjalimeve të qytetarëve ata të marshojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, e kthyer tashmë në rutinë që nga dita e parë e protestës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta.
Gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, Begaj u shpreh se zhvillimet aktuale në kryeqytet vijnë në një moment kur qytetarët po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore.