Pendarovski: Besimi në BE ishte i lartë falë shqiptarëve

Ish presidenti i Maqedonisë së Veriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në intervistën e tij të fundit për DW në gjuhën maqedonase ka komentuar të dhënat e fundit të Eurobarometrit. Sipas Pendarovskit është vështirë të pritet presion publik në rrugën drejt BE-së, kur kemi parasysh besimin e vogël ndaj BE-së, transmeton Portalb.mk.

“Ja ku është Eurobarometri më i fundit që tregon se besimi në BE ka rënë në 54%. Besimi në BE ishte i lartë falë shqiptarëve. Nëse pyet vetëm maqedonasit etnikë, ne kemi rreth 30% mbështetje dhe një mbështetje të këtillë е has vetëm në Serbi. Pra, si mund të presim presion publik për të vazhduar rrugën drejt BE-së, kur nuk ka mbështetje për të? Fatkeqësisht, populli ynë, me të gjitha këto probleme që ka pasur në këto dekada jetese të vështirë, si maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët dhe të tjerët, janë praktikisht të anestezuar dhe të mpirë ndaj të gjitha këtyre budallallëqeve që u shërbehen nga elitat e ndryshme politike”, tha Pendarovski, duke shtuar se ky nuk do të jetë një problem sigurie, por do të jetë një shenjë se si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët do të fillojnë të largohen nga Maqedonia përgjithmonë në numër edhe më të madh.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka ngecur në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian shkaku i ngërçit politik si rrjedhojë e mosdialogut me Bullgarinë fqinje dhe mungesës së vullnetit për ndryshime kushtetuese.

Qëndrimet e eksponentëve të qeverisë janë dëshmi se nuk do ndërmerret asgjë konkrete për të debllokuar rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE edhe përkundër ofensivës diplomatike të Brukselit zyrtar në Maqedoninë e Veriut për ta aktivizuar vendin në dialogun me Bullgarinë fqinje.