Ngërçi diplomatik me Bullgarinë nuk ka zgjidhje, Trajkov: As RMV nuk do të dorëzohet
Vizitat nga përfaqësuesit e Brukselit nuk kanë arritur të bindin Shkupin zyrtar se dialogu me Bullgarinë është i domosdoshëm dhe se ndryshimet kushtetuese janë receta për vazhdimin e rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian. Sipas zëvendësministres për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, pala tjetër (bullgarët) janë decid në qëndrimet e tyre, por edhe Maqedonia e Veriut nuk dorëzohet, shkruan Portalb.mk.
“Deri më tani, ata kanë qenë decid dhe të vendosur në qëndrimet e tyre, as ne nuk do të dorëzohemi, kështu që ndoshta do të gjindemi diku në mes. Ajo që është e rëndësishme për ne si Qeveri është të këmbëngulim që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të vazhdojnë të kultivohen ashtu siç duhet”, tha zëvendësministrja Trajkov.
Ajo insiston se çështja ka të bëjë me një rrugë me dy kahje.
“Nuk jemi vetëm ne që duhet të tregojmë iniciativë dhe të ofrojmë zgjidhje, edhe pala tjetër duhet të bëjë të njëjtën gjë”, tha Trajkov.
Zëvendësministrja Trajkov komentoi edhe vizitën e fundit të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.
“Jam e kënaqur që zonja Kallas na dëgjoi me vëmendje për sa i përket pikëpamjeve dhe qëndrimeve tona. Nuk devijojmë nga gjithçka që kanë deklaruar më parë edhe kryeministri poashtu edhe presidentja e vendit. Ne kemi disa skenarë që kemi ofruar. Lini pak kohë kohës. Mendoj se jemi të përkushtuar për zgjidhjen e problemit dhe për të treguar një sinjal pozitiv si fqinjë të mirë. Ne do të punojmë me përkushtim për këtë çështje gjatë kësaj periudhe”, theksoi Trajkov.
Qëndrimi i zëvendësministres Viktorija Trajkov është vijim i asaj që përmes analizës ka vërtetuar edhe Portalb.mk, se Maqedonia e Veriut nuk do të ndërmerr asgjë konkrete për të debllokuar rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE edhe përkundër ofensivës diplomatike të Brukselit zyrtar në Maqedoninë e Veriut për ta aktivizuar vendin në dialogun me Bullgarinë fqinje.
Maqedoninë e Veriut për më pak se 10 ditë e kanë vizituar dy eksponentë të Bashkimit Evropian.