Brukseli insiston në Planin A, Mickoski kthehet në ngatërresat ballkanike të vitit 1956- 1965

Derisa Brukseli ka shpeshtuar vizitat në Shkupin zyrtar dhe insiston në zbatimin e planit fillestar sipas kornizës veçmë të përcaktuar negociuese apo “Planit A” në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski vazhdon të fokusohet vetëm te pengesat dhe barrierat që pengojnë dhe e vështirësojnë dialogun me Bullgarinë fqinje, shkruan Portalb.mk. Kjo qasje e kreut të Qeverisë, siç duket,nuk do të sjell donjë përparim të frytshëm në agjendën evropiane të vendit.

vizitën e fundit të Kaja Kallas në Shkup, kur përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë u pyet pse nuk ka Plan “B” për rrugën e integrimit evropian të vendit, siç është rasti me Ukrainën, për të cilën madje Bashkimi Evropian njoftoi se ekziston edhe një Plan “C” për anëtarësim në Bashkim, Kallas tha: 

“Po përqendrohemi te plani ‘A’ dhe po përpiqemi ta bëjmë të funksionojë, sepse kur kaloni te plani ‘B’, atëherë plani ‘A’ është jashtë diskutimit. Mund të dukem sikur po flas me kod, por dua t’ju them se ende shpresoj që plani ‘A’ do të funksionojë dhe do të ketë sukses. Po punojmë për këtë. Nëse jo, atëherë do të kalojmë në fazën tjetër”,  tha ajo.

Kallas porositi që Maqedonia e Veriut të qëndrojë në të njëjtën rrugë dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të hapur negociatat e pranimit.  

“Ne e dimë se progresi mund të jetë i shpejtë nëse ka vullnet politik. Shqipëria dhe Mali i Zi janë shembuj të mirë të kësaj. Sigurisht, Maqedonia e Veriut përballet me një zgjedhje për qytetarët e saj dhe për të ardhmen. Ne besojmë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është receta më e mirë për paqe dhe siguri në të gjithë rajonin. Pra, le të ecim përpara së bashku dhe këtu dua t’ju siguroj se BE mbetet në anën tuaj”, tha Kallas. 

Se prania e Kallasit në Shkup është një mesazh domethënës e vërtetoi edhe vet kryeministri Mickoski. 

“Diskutuam rrugën drejt Bashkimit Evropian, një rrugë që nuk ishte as e lehtë, as e shkurtër, as gjithmonë e drejtë. Një rrugë me shumë sfida, kompromise dhe, për fat të keq, një pritje shumë të gjatë. Vendosmëria jonë mbetet e qartë, ne i përkasim Bashkimit Evropian. Jo sepse dikush na e ka borxh këtë, por sepse për dekada kemi ndërtuar një shoqëri me vlera demokratike, sundim të ligjit dhe fqinjësi të mirë. Sepse investojmë, sakrifikojmë dhe ndryshojmë, me shpresën se përpjekjet tona do të njihen. Por kjo vendosmëri duhet të jetë reciproke. Ky vend ka të drejtë të presë një konfirmim më të qartë dhe më të nderuar nga vetë Bashkimi. Do të biem dakord që jo të gjitha shtetet anëtare dhe jo gjithmonë sillen në frymën evropiane”, tha Mickoski. 

Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Barrierat historike ndajnë vullnetet për dialog politik dhe marrëveshje me Bullgarinë 

Kryeministri Hristijan Mickoski ka njoftuar se Maqedonia e Veriut ka rënë dakord të ulet në tryezën e bisedimeve me Bullgarinë gjatë Samitit të NATO-s. Ai theksoi se RMV do të përfaqësohet nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, dhe katër përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, si dhe anëtarë të NATO-s. 

Mickoski nuk harroi të theksojë edhe datat historike që janë pengesa kryesore dhe pika përçarëse në dialog.  

“Ne jemi një faktor stabiliteti dhe duhet të rrezatojmë në atë mënyrë, ka vende në rajon që duan të reflektojnë paqëndrueshmëri. Dhe do të ishte mirë të dëgjonim, të ulemi në tryezë. Ndoshta nga ajo anë do të dëgjojmë argumente që nuk i dinim, ku u zhdukën 200,000 maqedonas në Bullgarinë Perëndimore nga viti 1956 deri në vitin 1965“, deklaroi Mickoski.  

Nga ana tjetër, presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë madje  propozoi zgjidhje të reja kreative diplomatike për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian. 

Ajo përsëriti idenë e saj që bisedimet me Bullgarinë të zhvillohen në Vjenë, nën kujdesin e partnerëve evropianë, dhe se Bashkimi Evropian duhet të tregojë një rol aktiv në zgjidhjen e çështjeve të hapura. 

Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së
Gordana Siljanovska Davkova. Foto: Presidenca e RMV-së

“Ne e kemi të qartë se korniza negociuese është miratuar dhe se është e vështirë ta ndryshosh atë, por BE-ja duhet të investojë energji në mënyrë kreative për të na mundësuar të ecim përpara”, tha Siljanovska Davkova.  

Ajo propozoi që Parlamenti Evropian të miratojë një akt mbi situatën midis Shkupit dhe Sofjes, ndërsa Këshilli i BE-së të nxjerrë udhëzime politike ose të përgatisë një plan të ri veprimi që do të përfshinte edhe komisionin historik. 

Ndryshe, për të diskutuar për çështjet me interes shtetëror, si dialogu me Bullgarinë, procesi eurointegrues, por edhe propozimet e presidentes për zgjidhje kreative, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe ka kërkuar takim liderësh. Por, VMRO-DPMNE ka hedhur poshtë kërkesën e Filipçes, duke thënë se kërkesa për takim liderësh është tendencë e kreut të LSDM-së për të rritur rejtingun e tij.  

Filipçe tha se nuk është i njohur me detajet e propozimit të presidentes së vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, por se ai dhe LSDM do të mbështesin çdo propozim që do të përmirësojë pozicionin tonë negociues ose do të zhbllokojë rrugën tonë të integrimit evropian.

“Një gjë tjetër që mund të diskutojmë është gjetja e një mënyre për të modifikuar punën e komisionit historik. Le t’u kërkojmë ekspertëve të huaj të marrin pjesë në atë punë – për shembull, njerëzve që kanë përvojë në punën me tema të tilla. Gjermania me Poloninë, Gjermania me Austrinë. Ka hapësirë ​​për diskutim mbi këto tema. Mendoj se gjëja më e keqe është të mos përpiqesh të bësh asgjë”, tha Filipçe.

Kohëve të fundit Brukseli është mjaft aktiv në inkurajimin e Maqedonisë për t’iu kthyer dialogut me Bullgarinë dhe zbatimin e planit A që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese në vend. 

Vizitës së Kallas në Shkup i kishte paraprirë edhe vizita e kreut të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, i cili deklaroi qartë se ka detyrime që duhen përmbushur në mënyrë që të bëhet përparim në procesin e pranimit të vendit tonë.  

“Ajo që u ra dakord në vitin 2022 duhet të përmbushet”, tha Koshta, duke aluduar në detyrimin për ndryshime kushtetuese që bullgarët duhet të futen në Kushtetutën e vendit. 

Antonio Kosta dhe Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së
Antonio Kosta dhe Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

“Kur pyesni për garancitë, është e qartë se ajo që është rënë dakord është rënë dakord dhe tani nuk ka asgjë tjetër për të negociuar, nuk ka vend për të kërkuar asgjë më shumë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë planin A dhe duhet të përqendrohemi në atë plan. Ne e dimë se cilat janë kriteret e Kopenhagës, ne e dimë se cilat reforma duhet të përfundojnë, ne e dimë se çfarë u ra dakord në vitin 2022 dhe tani duhet ta zbatoni këtë”, tha Koshta. 

Kujtojmë, Maqedonia e Veriut në raport me vendet e BE-së po konsiderohet si storje jo e mirë në rrugëtimin e saj eurointegrues. Këtë e vërtetoi edhe komisionerja e BE-së, Marta Kos, e cila në një nga paraqitjet e fundit, respektivisht në intervistën e saj për Radio Evropën e Lirë, rastin e RMV-së në procesin eurointegrues e cilësoi si një histori të keqe.  

VMRO-DPMNE qëndron në doktrinën e saj politike, për të mos bërë kompromis me askënd, edhe përkundër pasojave politike, ndërkaq partneri i saj shqiptar në qeveri, VLEN edhe pse nisi me entuziazëm hyrjen në qeveri, reteroi në aspektin e eurointegrimeve.   

Vizitat e fundit betonojnë qëndrimin e Brukselit se, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së dhe se shtimi i bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë është për të mirën e vendit. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.