Pemët dhe perimet e sekuestruara nga tregu me shumicë “Kvantashki” iu dhuruan disa institucioneve në të gjithë vendin

Pemët dhe perimet që inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT) u sekuestruan dje nga tregtarët e paregjistruar në tregun e Kvantashki, u janë dhuruar institucioneve ku ka më shumë nevojë, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara pas aksionit të djeshëm të përbashkët me IShT-në, Drejtoria e Policisë Financiare dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

Nga Agjencia shtojnë se pemët dhe perimet e konfiskuara u janë dhuruar shtëpisë për jetimë “11 Tetori” në Shkup, Shkolla shtetërore për rehabilitim për fëmijë dhe të rinj “Dimitar Vlahov” në Shkup, Klinikë Universitare për terapi fizike dhe rehabilitim mjekësor në Shkup, shoqata për të verbër në Kumanovë, Spitali special për gjinekologji dhe obstetrikë “Nënë Tereza”, Spitali psikiatrik “Shkup”, Instituti për sëmundje të mushkërive te fëmijët në Kozle, Instituti për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve në Shkupi dhe burgu “Idrizovë”.

“Shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha institucionet kompetente për mbështetjen e dhënë dhe qëndrimin e vendosur në zgjidhjen e problemit me çmimet e larta të produkteve. Bëhet fjalë për të mirën e qytetarëve dhe çdo anashkalim i ligjeve do të sanksionohet, sepse sistemi duhet të funksionojë në tërësi me respektim konsistent me rregulloret ligjore”, thonë nga Agjencia për menaxhimin e pasurive të konfiskuara.

Nga atje thonë se për herë të parë ndodh që malli i konfiskuar u dhurohet këtyre institucioneve në të njëjtën ditë dhe shtojnë se do të vazhdojnë me aktivitetet në terren.

Aksioni i djeshëm i inspektorëve zgjati gjatë gjithë ditës.

Aksioni i inspektorëve të IShP-së u kry koordinim me ekipet e Drejtorisë së Policisë Financiare, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Pasurinë e Konfiskuar.

Sipas Ligjit të Tregtisë, gjobat për importuesit, në varësi të madhësisë së tyre, nëse konstatohet mosrespektim i vendimeve të qeverisë, variojnë nga 800 deri në 10.000 euro, ndërsa për veprimtari të paregjistruar, përveç gjobës parashikohet edhe konfiskimi i mallit.

Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria ka marrë vendim që tregtarët dhe importuesit që shesin pemë dhe perime duhet të marrin dhe shesin 70 për qind të sasive që kanë shitur në janar dhe shkurt.