Pavarësisht se ishte i arratisur për rastin “Zinxhiri”, Prokuroria i shqiptoi arrest shtëpiak Ljupço Pecovit
Prokuroria konfirmoi për TV Telma se i arratisuri i dyshuar Ljupco Pecov Djalli i është shqiptuar paraburgim shtëpiak pasi paraqiti dokumente mjekësore që deklaronin se ishte shtruar në spital për shkak të një gjendjeje shëndetësore, transmeton Portalb.mk.
Vendimi, sipas Telmës, u mor dje kur Pecov u soll në Gjykatën Penale të Shkupit. Mbrojtja kërkoi arrest shtëpiak për shkak të asaj që ata thanë se ishte gjendje e përkeqësuar shëndetësore.
Prokuroria e pranoi propozimin për arsye shëndetësore dhe rrethana të tjera, konfirmoi prokuroria, e cila ende po heton Pecovin në rastin e mashtrimit financiar “Zinxhiri”.
Çështja është ende duke u punuar me avokatin e tij Fehmi Stafa, i cili u ndalua gjatë fundjavës për gjoja ofrim ryshfeti për të zëvendësuar një dënim me burg me arrest shtëpiak. Stafa është ish-Prokuror i Shtetit. Atij iu nda masa e paraburgimit.
Vendimi për ta vendosur Pecovin në arrest shtëpiak thotë se ai do të jetë gjithashtu nën mbikëqyrje të vazhdueshme 24-orëshe të policisë për ta penguar të largohet. Ljupço Pecov Djalli ishte në arrati që nga hapja e hetimit “Zinxhiri” dhe gjykata urdhëroi që ai të paraburgosej në mungesë. Edhe pse kishte urdhër arresti, ai lëvizte lirshëm nëpër Shkup, duke fituar tendera me kompanitë e tij dhe policia nuk arriti ta gjente.
Ndryshe, në rastin“ Zinxhiri”, e cila u hap në fund të tetorit të vitit 2023, në hetim ishin përfshirë 26 persona, pronarë dhe drejtues të 28 kompanive, të dyshuar se kanë krijuar një skemë evazioni fiskal, përmes së cilës duke lëshuar fatura me TVSH për blerjet e pretenduara, të cilat nuk ekzistonin, e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth tetë milionë euro.