Patriotizmi me kamera, gjuha shqipe me pasoja
Shkruan: Merxhan Dauti
Në këtë vend, shqipja e ka kaluar një rrugë interesante.
Sot të gjithë flasin për dinjitet, patriotizëm, rini, studentë dhe të drejta kombëtare.
Televizionet janë mbushur me flamuj, studio patriotike dhe njerëz që flasin sikur e kanë zbuluar sot shqiptarinë.
Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.
Në vitet 2019/2020, kur kërkoja procese gjyqësore në gjuhën shqipe në Gjykatën Penale në Shkup, nuk mora duartrokitje.
Mora gjoba.
Mora procedura për marrje të licencës.
Mora kërcënime.
Mora heshtje.
Atëherë shumë njerëz frikësoheshin edhe të hynin në Gjykatën Penale në Shkup, e jo më të kërkonin përdorimin e gjuhës shqipe në procedura.
Nuk pata mbështetje politike.
Nuk pata mbështetje institucionale.
Nuk pata mbështetje mediale.
Madje kishte edhe të tillë që shpifnin e etiketonin:
“i shitur”,
“problematik”,
“mos i jep shumë zor”, thonin.
Dhe ironia më e madhe?
Ata që dje heshtnin, sot flasin më së shumti.
Dikur:
po e përdore shqipen në gjykatë, bëheshe problem.
Sot:
po nuk e përdore në televizion, humb vota.
Sot disa politikanë hyjnë në studio televizive sikur e kanë çliruar personalisht gjuhën shqipe.
Por dallimi është i thjeshtë:
disa e mbrojtën shqipen kur kishte pasoja,
e disa e përdorin sot kur ka kamera.
Disa paguan me gjoba.
Disa me presione.
Disa me kërcënime.
E disa heshtën… deri sa patriotizmi u bë komoditet politik.
Historia zakonisht nuk bërtet.
Por mban mend shumë mirë kush ishte vetëm kur kushtonte të flisje shqip.