Pasnesër mbahet konferenca e dytë nacionale e projektit “SMART Ballkan”

Konferenca e dytë nacionale në kuadër të projektit “SMART Ballkan – Shoqëria civile për vlera të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” do të mbahet të mërkurën (8 qershor) në Shkup. me fillim prej orës 9.30, në hotelin Aleksandar Pallas, informojnë nga Qendra për Hulumtime dhe Krijim të Politikave (QHKP).

Fokusi i panel diskutimit të konferencës së sivjetmë do të jetë menaxhimi me kriza dhe përforcimi i kapaciteteve lokale për parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit të dhunshëm. Njëkohësisht, në konferencë do të nënshkruhen edhe marrëveshje me fituesit e granteve nga linja e granteve – Intervenime nacionale, ndërkaq do të ndahen edhe informata për thirrjen e ardhshme për grante rajonale.

Në konferencë, do të mbajnë fjalime Marija Ristevska, drejtoreshë ekzekutive e QHKP-së, Hane Melgard, zëvendës shefe e Misionit të Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë në Beograd dhe Metodija Dimovski, sekretar i përgjithshëm në Qeverinë e RMV-së.

Në panel diskutimin e parë me temë “Përgatitja e sistemit për menaxhim me kriza në RMV” do të marrin pjesë Dragana Batiq nga Fakulteti i Sigurisë në Shkup, Stojançe Angellov, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe Kire Mihajllov nga Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve nga Sveti Nikole.

Në Panel diskutimin e dytë me temë “Përforcimi i kapaciteteve lokale për parandalim të dhunës dhe ekstremizmit të dhunshëm”, do të flasin Zllatko Apostolloski, koordinator nacional për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimit të terrorizmit, Vilma Milçev, drejtoreshë e Qendrës për Bazë të Përbashkët dhe Luka Paviqeviq, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme.

Projekti “SMART Ballkan” është i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë me grand prej mbi 17 milionë euro, ndërkaq zbatohet prej 1 janarit të vitit 2022 nga ana e konsorciumit të organizatave: Qendra për Promovim të Shoqërisë Civile (CPCD), Qendra për Hulumtime dhe Krijim të Politikave (CPRM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

Qëllimi kryesor i projektit është që të kontribuojë në përforcimin e demokracive pjesëmarrëse dhe integrimeve euroatlantike në Ballkanin perëndimor nëpërmjet përforcimit dhe inkurajimit të organizatave civile (OJQ) dhe rrjeteve të rrjeteve të OJQ-ve për rol më të fuqishëm dhe më aktiv në krijimin e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.