Pasi u rritën pagat për 78% për funksionarët, kryetari i LSDM-së premton se do t’i zvogëlojë

Dhjetë muaj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilën u krijua hapësirë për rritjen e pagave të funksionarëve për 78%, ende nuk është gjetur zgjidhje se si ato të ulen. Pakënaqësia e opinionit është e madhe, veçanërisht pas paralajmërimeve për rritjen e pagës mesatare, me çka të ardhurat për funksionarët do të rriteshin edhe më shumë. Ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, thotë se ajo nuk do të ndodh, ndërkaq paralajmëron edhe ndryshime ligjore me çka do të vihet në kontroll rritja e pagave, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

“Gjetëm zgjidhje ligjore me të cilën nuk do të rriten pagat e funksionarëve me nivelin e ri të rritjes së pagës mesatare. Me këtë zgjidhje, koeficientet aktual do të zvogëlohen me çka pagat e të gjithë personave të zgjedhur dhe emëruar nuk do të rriten”, deklaroi Kovaçevski.

Rritja e pagave për 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Që atëherë, bazë është paga mesatare e vitit paraprak e përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Paga më të larta nga funksionarët kanë presidenti i shtetit, Kuvendit dhe Qeverisë. Me Ligj par ata tani marrin pagë në masën e pagës mesatare të vitit të kaluar shumëzuar me koeficientin 4.5. Paga mesatare bruto e paguar në vitin 2022 është rreth 47 mijë denarë. Kësaj i shtohet një rritje prej gjysmë për qind për çdo vit stazh pune.