Shkolla e parë virtuale në RMV “Digitime” nesër organizon konferencë në Shkup

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup nesër me fillim nga ora 13:00 do të mbahet Konferenca nga Shkolla e Matematikës “Digitime” – shkolla e parë virtuale në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Nga Digitime njoftojnë se e kaluara ka treguar se shumë programe që mbështesin shkencat, veçanërisht matematikën, fizikën dhe kiminë, nuk janë adekuate për nxënësit shqipfolës.

“Kjo përfshin një histori dhe statistika që tregojnë se vetëm vitin e fundit, nga klasa e 6-të deri në vitin e parë të shkollës mesme, vetëm 2.1% e pjesëmarrësve totalë në garat shtetërore matematikore në Maqedoninë e Veriut ishin shqiptarë”, njoftuan nga Digitime, duke shtuar se kjo ka qenë arsyeja që të dizajnojnë programin Shkolla e Matematikës, shkolla e parë virtuale në Maqedoninë e Veriut.

Në konferencë do të drejtohet drejtoresha e Digitime – Vlora Ademi, profesori universitar – Veland Ramadani, drejtori i Fondacionit Metamorfozis – Bardhyl Jashari, drejtori i Fondacionit Albiz – Besir Dernjani, drejtori i Fluid M – Ejup Abdullah dhe të tjerë.

Më pas do të ndahen edhe çmimet për nxënësit.