Pas shtyrjes së djeshme, sot ka filluar inspektimi për shkaqet e zjarrit në Gjykatën Themelore të Kumanovës

Inspektimi në Gjykatën Themelore në Kumanovë do të duhet të tregojë arsyet e zjarrit që ka rënë para dy ditësh në bodrumin e objektit, ku ndodhet arkivi i gjykatës. Inspektimin e kryen prokurori themelor publik nga Shkupi, ndërsa të pranishëm do të jenë prokurori kujdestar nga Kumanova, ekipe inspektuese nga SPB Kumanovë dhe forenzika nga Shkupi, si dhe inxhinierë elektrikë dhe inspektor për zjarrin, transmeton Portalb.mk.

Inspektimi në Gjykatën e Kumanovës fillimisht është dashur të bëhet gjatë ditës së djeshme, por është shtyrë pas indikacioneve të njësisë së zjarrfikësve se ende nuk është e sigurt për të hyrë.

“Inspektimi është shtyrë për shkak të udhëzimeve të komandantit të njësitit territorial të zjarrfikësve nga Kumanova, i cili na sqaroi se nuk është e sigurt dhe se deri nesër do të ketë roje zjarrfikëse. Mbetet që nesër të bëhet inspektimi nëse plotësohen të gjitha kushtet”, tha dje për MIA-n Teuta Bediu Ramadani, kryetare e prokurorisë së Kumanovës.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Kumanovë, Snezhana Maneva, pret që hetimet të zbulojnë shkakun e zjarrit.

“Pas përfundimit të inspektimit do të fillojë rregullimi i hapësirave të bodrumit. Deri atëherë, lëndët urgjente do të trajtohen në Gjykatën Penale të Shkupit sipas udhëzimeve të Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë”, tha Maneva.

Për rastet urgjente ajo thotë se përmes Këshillit Gjyqësor mundësohet që gjyqtarët e Kumanovës të punojnë në Gjykatën Penale të Shkupit.

Zjarri në Gjykatën e Kumanovës ka rënë dy ditë më parë në ora 01:35, pas së cilës gjatë ditës dilte tym disa herë. Në terren u angazhuan rreth 15 zjarrfikës me disa automjete.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, menjëherë pas zjarrit njoftoi se ekspertë për hetime kriminalistike dhe teknike dhe ekspertizë do të shqyrtojnë shkaqet e zjarrit në bodrumin e Gjykatës Themelore në Kumanovë.