“Llaskarca”, eksperti i komunikacionit: Aksidenti ka ndodhur në kthesë, autobusi vetë ka lëvizur drejtë dhe dalë prej autostradës

6.4 kilometra nga pikëpagesa në Gullmovë, është pika kritike ku autobusi ka filluar të dalë prej trasesë, në vend që të lëvizë në të djathtë në drejtim të trasesë. Kështu deklaroi sot eksperti i cili është pjesë e ekipit që e ka përgatitur superekspertizën e komunikacionit për aksidentin e aksidentin e Llaskarcës i cili ka ndodhur në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar, njofton Portalb.mk.

Prokurori Darko Jakimovski, filloi me prezantimin e fotografisë nga pamjet satelitore të “Google Earth” ku shihet vendi i aksidentit dhe e cila është pjesë e superekspertizës dhe filloi t’i parashtrojë pyetje nëse është konstatuar mirë se cila është pika më e theksuar e kthesës.

“Qëllimi i tregimit të kësaj fotografisë nuk ka kurrfarë kuptimi vetëm që, e kemi vendosur që të shihet se për çfarë pjesë të rrugës bëhet fjalë, gjegjësisht se nuk bëhet fjalë për kthesë të butë në të djathtë, por për kthesë normale me të gjitha karakteristikat në një rrugë të rangut më të lartë siç është autostrada”, tha Lupço Apostollov.

Prokurori disa herë insistoi se ekspertet nuk kane treguar me të drejte se aksidenti ka ndodhur ne piken më të theksuar të kthesës.

“Gjurmët e para të aksidentit janë 6.4 kilometra prej pikëpagesës së Gullmovës. Në atë vend ka filluar lëvizja në linjë të drejtë [e autobusit] dhe këtu e shohim se kthesa fillon kah e djathta”, thotë Apostollov, duke shpjeguar kthesa se shoferi nuk ka kthyer as në të djathtë, e as në të majtë, por autobusi vetë ka vazhduar të lëvizë drejtë dhe ka dalë nga autostrada.

“Ky aksident në fillim ka gjurmë nga lëvizja e autobusit, pastaj vazhdon 51 metra e njëjta gjurmë dhe kemi kontaktin e parë me bankinën mbrojtëse, pastaj [autobusi] shkon në pjesën e kundërt të autostradës, rrotullohet nga autostrada në rrugën rajonale dhe ndalet në fund. Pika e aksidentit është kur fillon të lëvizë drejtë, në vend që të shkojë në të djathtë dhe këtu fillon situata e rrezikshme”, shtoi Apostollov.

Ai shton se nëse nuk do të ishte ashtu, pra nëse nuk do të kishte kthesë, autobusi do të lëvizte drejtë dhe s’do të kishte problem dhe nuk do të shkonte në pjesën e kundërt të autostradës.

Prokurori sërish insistoi se aksidenti nuk ka ndodhur në atë të pjesë të rrugës ku kthesa është më e theksuar, për çka eksperti tha se nuk pajtohet me këtë konstatim.

Prokurori, Jakimovksi i pyeti nëse konstatimin për drejtimin e autobusin e kanë bërë vetëm nëpërmjet “Google Earth”, pas çka eksperti mohoi.

“Nuk e kemi parë vetëm në “Google Earth”, por kemi qenë 4-5 herë në terren, kemi lëvizur edhe me automjete të ndryshme, kemi bërë xhiro në pjesën ku ka ndodhur aksidenti deri në daljen e parë nga autostrada. Prokurori nuk mund të konstatojë se ne kemi vendosur vetëm në bazë të incizimit satelitor. Kjo është vendosur që të paraqesë fotografi vizuale për të gjithë ata qe do të kenë kontakt me lëndën”, tha Apostollov.

Ai përsëriti se është konstatim i tyre se autobusi vet ka shkuar drejtë, dhe nuk ka shkuar në të majtë.

Sipas kësaj, shoferi i autobusit fare nuk ka reaguar që ta drejtojë autobusin në kahjen e autostradës (në të djathtë), apo në kahjen e majtë, por autobusi vetë ka dalë nga rruga.

Paraprakisht ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit deklaruan se shoferi i autobusit duke lëvizur prej korsisë së mesme ka kthyer në të majtë, ka goditur bankinën dhe më pas ka vazhduar në pjesën e kundër të autostradës dhe në fund autobusi është rrëzuar në pjesën e rrugës rajonale dhe ka përfunduar në fushë. Gjatë gjithë kësaj kohe, shoferi ka pasur mundësi, por fare nuk ka frenuar. Ngadalësimi i shpejtësisë së autobusit nuk ka ndodhur nga frenimi, por nga faktorë tjerë.

Ekspertët përjashtojnë mundësinë që aksidenti të jetë shkaktuar si pasojë e faktorit të rrugës apo automjetit, dhe me këtë faji mbetet te shoferi. Thënë më qartë, ekspertët e komunikacionit, ashtu sikur makinerik, thonë se autobusi ka qenë teknikisht në rregull, por shoferi nuk ka ndërmarrë aktivitete për të frenuar.

Seanca e sotme u shoqërua me tensione mes avokatëve pasi që kohëpaskohe avokatët ndërhynin derisa eksperti duhej të japë përgjigje. Për këtë gjykatësja i paralajmëroi se nëse vazhdojnë do të gjobiten.

Kjo është seanca e tretë që dëshmojnë ekspertët që e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit.

Paraprakisht, kanë dëshmuar edhe ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën makinerike.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën makinerike dhe të komunikacionit pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.