Pas një muaji agjërim, besimtarët muslimanë në RMV e botë festojnë Fitër Bajramin, gëzuar!
Besimtarët muslimanë sot në RMV dhe mbarë botën festojnë Fitër Bajramin, një ndër festat më të mëdha, e cila vijon menjëherë pas mbarimit të agjërimit të Muajit të Ramazanit, shkruan Portalb.mk.
Në ora 05.10 besimtarët në Shkup në RMV kanë falur namazin e sabahut, ndërkaq në ora 6.25 namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup, dhe u transmetua drejtpërdrejtë në TVM2.

Pas faljes së namazi i Fitër Bajramit, muslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti.
Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoninë e Veriut, rajonit e mbarë botës.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, në porosinë e tij për mbarimin e Muajit të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit ka theksuar se në këto ditë festive kudo shtrihet dora e mëshirës,
“Por, në këto ditë të hareshme, shkolla e Ramazanit na mësoi që të mos harrojmë njerëzit tanë që janë në nevojë: skamnorë, të varfër, jetimë, por edhe institucionet tona islame. Prandaj, në fund të Ramazanit na është bërë obligim dhënia e Sadekatul Fitrit, siç na ka treguar i Dërguari i Zotit se me dhënien e Sadekatul Fitrit ne pastrojmë agjërimin tonë nga fjalët e tepërta. Me një fjalë, Festa e Fitër Bajramit është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores, i moralit ndaj amoralit, i durimit ndaj mosdurimit, i hyjnores ndaj satanikes. E gjithë kjo na bën të jemi njerëz të aksioneve, njerëz që thirrim në kultivimin e veprave të mira dhe njerëz që pengojmë veprimet e këqija”, thotë Fetai.
Redaksia e Portalb.mk ua uron të gjithë besimtarëve muslimanë festën e Fitër Bajramit, duke uruar për shëndet, mirëqenie, dhe solidaritet.