Pas ndalimit të hyrjes në SHBA, Angjushevi nuk është më konsull nderi i Maltës

Ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev nuk është më konsull nderi i Maltës, shkruan gazeta “Times of Malta”. Ky post, në të cilin ai u emërua në vitin 2021, u pezullua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maltës pasi Departamenti i Shtetit dy ditë më parë njoftoi se Angjushev në përgjithësi nuk ishte i përshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara “për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm”, transmeton Portalb.mk.

“Në funksion të zhvillimeve të tilla, Ministria po i përfundon emërimin me efekt të menjëhershëm dhe po monitoron nga afër zhvillimet e fundit”, tha zëdhënësi i MPJ-së në një deklaratë për gazetën.

Angjushev, ndërkaq, përmes një komunikate është bërë e ditur se personalisht e ka njoftuar ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës për situatën e re dhe se ai vetë është tërhequr. Ai ka falënderuar Maltën për mandatin dhe nderin e të qenit konsull nderi, por siç thotë ai “nuk mund të jem konsull me hije mbi emrin tim”.

“Duke pasur parasysh vendimin e Departamentit të Shtetit ndaj meje, me pretendime me të cilat nuk jam dakord, por që i vlerësoj dhe i pranoj si vendim, nuk e konsideroj se mundem dhe as Malta nuk duhet të ketë Konsull Nderi me hije në emrin e tij, sado e pajustifikuar të jetë ajo. Derisa këto akuza të korrigjohen, nuk jam i gatshëm dhe nuk jam në gjendje të avokoj në emër të ndonjë shteti apo institucioni. Vendimi për kufizimin e hyrjes në SHBA është diçka që më shqetëson mua personalisht dhe me këtë çështje duhet të merrem personalisht, pa asnjë pasojë negative për vendet mike, individët, bashkëpunëtorët afarist apo institucionet”, thuhet në reagimin e Angjushevit.

Më 5 dhjetor, Departamenti i Shtetit e shpalli Angjushevin të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në nivele dukshëm të larta të korrupsionit.

“Gjatë kohës që shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev keqpërdori pozitën e tij zyrtare në favor të interesave të tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.