Takime me drejtorë, prindër dhe nxënës, pjesë e aktiviteteve të Këshillit të Delikuencës në Tetovë

Këshilltarët e Komunës së Tetovës pritet ta miratojnë programin e Këshillit Lokal për Parandalimin e Delikuencës te të Miturit, në bazë të të cilit do të zhvillojë aktivitete gjatë periudhës së ardhshme me qëllim të parandalimit të sjelljeve devijante të fëmijëve në Komunën e Tetovës, njofton Portalb.mk.

“Kemi paraparë shumë aktivitete të cilat planifikojmë që t’i ndërmarrim, menjëherë prej këtij muaji, deri në muajin dhjetor. Aktivitetet e para të cilat kemi filluar t’i ndërmarrim nga kjo javë janë takime me drejtorët e shkollave të mesme. Kemi realizuar deri tani dy vizita, në gjimnazin “Kiril Pejqinoviq” dhe “7 Marsi”, njoftim me drejtorët lidhur me aktivitetet tona dhe ekipet profesionale të këtyre shkollave. Në vazhdim do të kemi dhe aktivitete të tjera, duke punuar me prindërit dhe nxënësit për t’i detektuar fëmijët me rrezik të cilët janë në shkollat e qytetit tonë”, tha kryetarja e Këshillit Blerta Ahmedi.

Ajo shtoi se fokusin do ta kenë te shkollat e mesme duke e marrë parasysh se ato janë pjesë e fëmijëve që kanë përgjegjësi penale, gjegjësisht nga mosha 14 deri në moshën 18-vjeçare.

“Por, kemi paraparë edhe aktivitete me karakter preventiv te nxënësit e shkollave fillore, do të përfshihen të gjitha shkollat fillore të Komunës së Tetovës”, tha Ahmedi.

Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës, me 30 janar miratoi vendimin për themelimin e Këshillit komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në këtë komunë. Seanca e parë konstituive e Këshillit u mbajt më 17 maj të këtij viti. Ky këshill komunal është obligim ligjor sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve i cili duhet të themelohet në të gjitha komunat në vend.

Vetëm vitin e kaluar (2022) në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë janë evidentuar 70 vepra penale në të cilat në mënyrë direkte apo indirekte janë përfshirë 89 të mitur.

Në Maqedoninë e Veriut edhe pse sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve, komunat detyrohen të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, në praktikë kjo çalon, sipas një hulumtimi të Portalb.mk të bërë në muajin shkurt të këtij viti, nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kishin themeluar të njëjtin. Për këtë shkelje, sipas institucioneve kompetente deri më tani nuk është dënuar asnjë komunë. Ekspertët kanë konstatuar se autoritetet në vend nuk bëjnë mjaftueshëm në drejtim të parandalimit të delikuencës së fëmijëve.