Pas ankesave të banorëve dhe nxënësve, filluan punimet për rikonstruimin e oborrit të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë
Pas shumë viteve i lënë pas dore, ka filluar rikonstruimi i oborrit të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, vetëm pak muaj pasi Portalb.mk raportoi për këtë problem dhe për ankesat nga nxënësit dhe banorët e lagjes.
Sipas planit të prezantuar do të rikonstruohen terrenet sportive dhe oborri.
Projekti do të kushtojë rreth 100 mijë euro, prej të cilave 49 mijë do t’i sigurojë Komuna e Tetovës, ndërsa 50 mijë janë donacion nga Halk Bank, pranimi i të cilit pritet të bëhet në seancën e sotme të Këshillit Komunal.
“Pas shumë vitesh neglizhencë, më në fund po bëhet një ndërhyrje konkrete dhe fusha do të merr pamjen dhe kushtet që nxënësit tanë e meritojnë”, njoftoi në rrjetin Facebook, udhëheqësi i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, Validin Ademi.
I pyetur për afatet e realizimit, Ademi i tha Portalbit se të martën (nesër) kanë planifikuar të shkojnë te gjimnazi, nga ku do të ndajnë më tepër detaje rreth projektit.
Kështu pritet të duket terreni pas përfundimit të punimeve.
Për këtë problem alarmoi Portalb.mk që në muajin prill, kur nxënësit dhe banorët e lagjes u ankuan për gjendjen e shkatërruar të terrenit ku kërkuan që e njëjta të rregullohet dhe të shfrytëzohet për aktivitete sportive, aso kohe komuna premtoi zgjidhje por pa afat konkret.
- LEXO: Kaosi në oborrin e Gjimnazit të Tetovës, drejtori Jeton Kamberi: Parkingu është krijuar shkaku i punimeve për amfiteatrin dhe bibliotekën e re (Video)
- LEXO: Nga fusha sportive e dëmtuar në deponi dhe parking, oborri i Gjimnazit të Tetovës në gjendje alarmante (Video)
Ndryshe, pavarësisht restaruimit të disa terreneve sportive, disa shkolla në Tetovë ende mbeten me terrene sportive të dëmtuara dhe pa salla sportive.
- LEXO: Viti shkollor përfundoi me terrene sportive të dëmtuara dhe pa salla sportive për disa shkolla të Tetovës
- LEXO: Vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i gjashtë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës, detaje nuk ka ende
- LEXO: Midis “urgjencës dhe utopisë” në Tetovë, terrenet sportive të shkollave fillore në gjendje alarmante