Një tjetër viktimë nga ethet e Nilit Perëndimor, tre të vdekur deri më tani në RMV
Gjatë fundjavës ka ndërruar jetë një pacient i infektuar me ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të viktimave nga kjo sëmundje në vend. Derisa ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar 35 raste me ethe të Nilit Perëndimor, ndërsa gjashtë pacientë të tjerë ndodhen në gjendje kritike dhe janë të vendosur në repartin e kujdesit intensiv, shkruan Portalb.mk.
Klekovski shtoi se nga rastet e konfirmuara, shumica janë të shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa një pacient po trajtohet në një institucion privat shëndetësor.
Ministri shtoi se deri më tani janë regjistruar tre viktima nga ky virus, ndërsa 15 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar nga Klinika për Sëmundje Infektive.
Ai theksoi se aktualisht zona më e prekur në Evropë nga ethet e Nilit Perëndimor është Athina. Sipas tij, në Greqi deri më tani janë regjistruar 81 raste me formë neuroinvazive të sëmundjes dhe nëntë persona kanë humbur jetën. Raste tashmë janë evidentuar edhe në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut.
“Kapacitetet diagnostikuese shëndetësore janë ngritur në nivelin maksimal. Nëse në vitet e kaluara kryheshin rreth 40 analiza në vit, tani po realizohen nga katër deri në tetë analiza në ditë. Kujtoj se për konfirmimin përfundimtar të diagnozës nevojiten dy teste të pavarura”, tha Klekovski.
Ai shtoi se tashmë janë informuar të gjithë mjekët që mund të vijnë në kontakt me pacientë të dyshuar.
“Janë njoftuar të gjitha repartet e sëmundjeve infektive, mjekët amë, Klinika e Neurologjisë, si dhe neurologët në përgjithësi. Kështu, sistemi është në gatishmëri për njohjen dhe diagnostikimin e sëmundjes dhe kapacitetet për diagnostikim janë të disponueshme”, theksoi Klekovski.
Ai nënvizoi gjithashtu se, sa i përket hartëzimit të rasteve, duhet bërë dallim mes vendbanimit të personave të infektuar dhe vendit ku ata janë infektuar me virusin.
Ndryshe, ditën e premte kishte vdekur pacienti i dytë 72 vjeçar nga Ethet e Nilit Perëndimor.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.