Paraburgim për tre burra, dyshohen për dhunë ndaj dy grave nga Vinica

Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka iniciuar procedurë kundër tre personave nga fshati i Vinicës Trsino, të cilët dyshohet se në grup kanë rrezikuar sigurinë dhe kanë kryer dhunë të rëndë ndaj dy femrave dhe u kanë shkaktuar lëndime fizike, transmeton Portalb.mk.

“Ndërsa viktimat ndodheshin në oborrin e shtëpisë së tyre, tre personat u hodhën mbi gardhin e oborrit dhe u drejtuan drejt tyre duke mbajtur në duar sende të forta – dru dhe gypa. Gratë janë fshehur në një objekt ndihmës, por të dyshuarit i kanë tërhequr zvarrë dhe kanë filluar t’i rrahin, duke u shkaktuar lëndime fizike dhe kanë shkaktuar ndjenjën e frikës tek një grua tjetër dëshmitare e ngjarjes. Në këtë mënyrë të dyshuarit kanë kryer vepër penale – Dhunë nga neni 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal“, njofton Prokuroria.

Sipas informacioneve fillestare, shkak i dhunës ka qenë marrëdhëniet e prishura afatgjate mes dy familjeve në fshat, dhe gjatë privimit të lirisë të dyshuarit kanë vazhduar të kërcënojnë me vrasje. Duke e konsideruar rrezikun që të dyshuarit ta përsërisin veprën ose të kryejnë vepër tjetër me të cilën kërcënohen, si dhe rrezikun e arratisjes, prokurori publik ka paraqitur propozim në Gjykatën Themelore në Vinicë për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata e pranoi propozimin dhe ndaj të gjithë të dyshuarve caktoi masën e paraburgimit.