Para 63 vjetëve, Shkupi u godit nga një tërmet i madh

Më 26 korrik të vitit 1963, Shkupi në ora 05:17 u godit nga një termet i fuqishëm, ku si pasojë ndërruan jetë 1 070 persona, u plagosën 3 000 persona tjerë, ndërsa shume objekte tjera u rrënuan, raporton Portalb.mk.

Tërmeti arriti shkallën 6.1 sipas shkallës së Rihterit, tërmet i cili la mbi 200 mijë qytetarë pa shtëpi.

Kjo tragjedi i preku shumë shtete tjera, për çka u solidarizuan me vendin tonë, duke dhuruar ndihma të mëdha për ringjalljen e qytetit.

Edhe Kombet e Bashkuara ndërmorën aktivitete për të ndihmuar qytetin e shkatërruar. Më 23 shtator 1963, 35 shtete kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme që në rendin e ditës të seancës të vendosë një pikë për marrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup. Më vonë, më 27 shtator, Asambleja e Përgjithshme i dha përparësi aksionit ndërkombëtar për dhënien e ndihmës për Shkupin.

Më 14 tetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri Rezolutën për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit, duke shprehur keqardhjen për fatkeqësinë e madhe. Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e Përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë mbeti në analet e Kombeve të Bashkuara si dita e Shkupit.